82 votat që rrëzuan qeverinë Kurti, ishin test për një votë të mundshme në ndarjen e Kosovës

Lajme

“As Kosova, as Shqipëria, as shqiptarët e Maqedonisë dhe kudo që janë, nuk mund të flenë të qetë, nëse nuk reagojnë me çfarëdo forme për mbrojtjen e territorit, kësaj radhe jo prej Serbisë, por prej shërbëtorëve të Beogradit në Prishtinë dhe në Tiranë. Nuk mund ta mbrojë Kosovën Angela Merkel, ose Ursula von der Leyen, nëse nuk e mbron Albin Kurti, Vjosa osmani, Abdullah Hoti, Ramush Haradinaj, Lidhja Demokratike e Kosovës, AAK e madje edhe PDK e Kadri Veselit! Por të gjithë këta kanë sfidë kryesore presidentin e vendit dhe vasalët e Beogradit në Prishtinë”, ka thënë profesor Enver Bytyqi.

Bashkimi Evropian, nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të kufijve të Kosovës, në marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu të paktën ka lënë të kuptohet Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell, i cili ka deklaruar se nëse ka pajtim të palëve mund të ndodhë edhe ndryshimi i kufijve.

“Siç thashë kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolikë se Papa. Nuk na takon neve t’u themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata, apo jo. Roli ynë do të jetë të lehtësojmë dialogun. Por siç thashë nuk duhet të jemi më katolikë se Papa. Nëse ata merren vesh për diçka në duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje, sepse secila marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në rajon”, ka thënë Borell i pyetur nëse është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve.

Por, sa është në dorën e Kosovës mundësia për të mos lëshuar pe në ndryshimin e kufijve, dhe sa ka rrezik që politikanët të mos e përfillin vullnetin e qytetarëve për mos ndryshim kufijsh?

Analistët politik vlerësojnë se çështja e një marrëveshjeje përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit, duke pasur si përmbajtje të saj ndryshimin e kufijve dhe territoreve, ka së paku 4 vite që është vënë në tavolinë.

Sipas tyre, udhëheqësit serbë kanë tentuar ta shtrojnë këtë formulë kohë më parë në tavolinat e liderëve politikë shqiptarë, por nuk gjetën partnerë në Tiranë.

Bytyçi: Prishtina politike është e përçarë nga Serbia me lloj-lloj marifetesh

Image

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Profesor Enver Bytyçi, ka thënë se çështja e një marrëveshjeje përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit, duke pasur si përmbajtje të saj ndryshimin e kufijve dhe territoreve, ka së paku 4 vite që është vënë në tavolinë.

Sipas tij, udhëheqësit serbë kanë tentuar ta shtrojnë këtë formulë kohë më parë në tavolinat e liderëve politikë shqiptarë, por nuk gjetën partnerë në Tiranë.

“E them këtë pasi në vitin 2016 e vendosën agjendën e tyre fillimisht në tavolinën e Edi Ramës, pastaj në atë të Hashim Thaçit dhe midis tyre qarkulloi virusi anti-shqiptar, Baton Haxhiu. Këta e shpallën publikisht projektin e tyre që në vitin 2018. Por, para një viti ky projekt mori goditje të rëndë. Për këtë goditje të asaj kohe merita kryesore i shkon kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Luajti rol opozita në Kosovë dhe ish-Presidenti e ish-kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha. Por, treshja pro-serbe, Vuçiq, Rama dhe Thaçi nuk hoqën dorë. Ata njihen për këmbënguljen e tyre dhe vunë bast se do t’ia arrijnë qëllimit për ndarjes së Kosovës”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron, se tani sfida është në fushë-betejë dhe autorët e projektit të ndarjes së Kosovës shfrytëzuan kohën të lobojnë fort në favor të krijojnë mbështetje dhe i gjuajtën të gjithë njerëzit me pushtet në Perëndim, të cilët mund të ishin pro këtij opsioni.

“Edhe shefi i Sigurisë dhe Politikave të Jashtme të BE-së, Borell , tha se nuk mund të ishte më katolik se papa, duke përmend se nëse të dy vendet janë dakord, edhe mund të përkrahej ideja e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Në SHBA ishte Bolton ai që e nxiti më tej këtë iniciativë, i njohur për kundërshtitë e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Tani me pak më shumë modelim e mbështet projektin e tillë zoti Grenell. Duket se mbështetja për opsionin e ndarjes së Kosovës zgjerohet, sa më shumë mbështetje, aq më shumë ngërdheshje shoh në fytyrat e autorëve të këtij projekti, Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiq dhe Baton Haxhiut. Vetëm Edi po hesht, sepse ende nuk është i sigurt se nga do të anojë peshorja. Nëse shkohet kah ndarja do të dalë me flamur pro. Nëse jo, do të thotë se është kundër ndarjes. Është i njohur fakti se Edi Rama di të hedhë gurë e ta fshehë dorën”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, nuk është si Hashimi e Batoni që marrin shkopin tregues pa trup fare dhe u tregojnë shqiptarëve se ku do të bjerë gërshëra serbe në hartën e Kosovës.

“Por e kam thënë dhe në komentet e tjera para shumë kohësh se Kosova ndahet ose nuk ndahet në Prishtinë. Nëse shohim deklaratat, ato nisin me togfjalëshin: “Nëse palët janë dakord. Që do të thotë se nëse Prishtina nuk do të jetë dakord, nuk ndryshojnë kufijtë, por Prishtina politike është e përçarë, i ka përçarë Serbia me lloj-lloj marifetesh. I përçan presidenti, si mashë në duart e Beogradit,i përçan edhe altoparlanti i Beogradit në Prishtinë, Baton Haxhiu. I përçan nga ana tjetër në mënyrë të hapur Edi Rama. Historitë dhe argumentet e akteve përçarëse janë histori më vete”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai tutje ka shtuar se nga kjo përçarje, disa mbështesin projektin serb, kurse të tjerë e kundërshtojnë.

“Përveç Thaçit e Batonit askush tjetër nuk pranon se e mbështet opsionin e ndarjes së Kosovës. Por, mbështetja politike që i jepet Thaçit dëshmon se jo pak politikanë të Prishtinës luajnë në prapaskenë. Mesa duket kanë kërkuar te Thaçi që ai ta çojë deri në finale projektin dhe atëherë të thonë “Ishim para faktit të kryer, e votuam se na e kërkuan amerikanët”! Amerikanët thonë “Po të doni ju. Liderët shqiptarë thonë “Na thanë amerikanët”. Një ekuacion i pazgjidhshëm, por rezultati i këtij ekuacioni është se Kosovën e drejton një kastë politike e korruptuar dhe inkriminuar”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, vetëm kasta të tilla luajnë me kësi lloj metaforash, pasi shkurt ndarja e Kosovës dhe ndryshimi i kufijve nuk mund të ndodhë nëse Kosova do të jetë kundër kësaj.

“Nga ana tjetër është luajtur me sentimental e qytetarëve. Regjisoret e ndarjes kanë punuar për ta lodhur qytetarin, për ta varfëruar atë, për ta keq informuar, me qëllim që ta përçajnë në qëndrimet e tyre. Politikanët përndarjes dhe fushadistët mediatikë të tyre kanë krijuar një atmosferë përçarëse të tipit pro dhe anti-amerikanë, pro dhe anti-evropianë. Qëllimi është që të mos ketë një reagim të unifikuar të qytetarëve ndaj aktit të tradhtisë së ndarjes së Kosovës, që ky akt të duket si normal. E gjitha kjo për ta kaluar marrëveshjen në parlament pa respektuar vullnetin e qytetarëve. Ato 82 votat që rrëzuan qeverinë Kurti ishin test për një votë të mundshme të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Kush e do atdheun ndjen dhimbje për çdo pjesë të trupit të tij”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, kush e do Kosovën dhe ndjen dhimbje nëse rrjedh gjak edhe një pjesë prej dy dyndim në territorin e saj, duhet të kuptojë se ndarja është tragjedi.

“Ata politikanë që janë zotuar për të mos lejuar këtë akt, duhet t’i bashkohen qytetarëve dhe të vihen në krye të protestave për mbrojtjen e territorit të vendit, nëse ky territor tentohet të cenohet. As Kosova, as Shqipëria, as shqiptarët e Maqedonisë dhe kudo që janë, nuk mund të flenë të qetë, nëse nuk reagojnë me çfarëdo forme për mbrojtjen e territorit, kësaj radhe jo prej Serbisë, por prej shërbëtorëve të Beogradit në Prishtinë dhe në Tiranë. Nuk mund ta mbrojë Kosovën Angela Merkel, ose Ursula von der Leyen, nëse nuk e mbron Albin Kurti, Vjosa osmani, Abdullah Hoti, Ramush Haradinaj, Lidhja Demokratike e Kosovës, AAK e madje edhe PDK e Kadri Veselit! Por të gjithë këta kanë sfidë kryesore presidentin e vendit dhe vasalët e Beogradit në Prishtinë”, ka thënë profesor Enver Bytyqi.

Zogaj: Me ndryshimin e kufijve nuk ka punë vullneti i qytetarëve, por ka vullneti shtetëror në përputhje me vullnetin ndërkombëtar

Image

Skender Zogaj

Kurse, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë për “Bota sot” se mënyra si ka dalë në publik dhe si është duke u trajtuar çështja e ndryshimit të kufijve të Kosovës nëpër medie dhe nëpër koluare, është fillim e mbarim e gabuar.

Sipas tij, kjo në vend se të bëhej çështje serioze zyrtare e institucioneve më të larta shtetërore, është bërë preokupim i thashethemeve të rrezikshme politiko – patriotike, që po e habisin botë.

“Diplomacia botërore, në fillim e quajti shumë të rrezikshme lojën me kufijtë, dhe ishte kundër, por me kalimin e kohës, ndryshoi qëndrimin, dhe tash e pranon ndryshimin e kufijve, nëse për këtë pajtohen palët. Pra, Kosova është njëra nga palët, dhe kjo nënkupton se në dorën e saj është peri i çështjes së kufijve. Por, dora duhet të jetë e institucioneve dhe vetëm e institucioneve. Kjo është mënyra dhe çdo veprim tjetër është skandaloz. Sa i përket vullnetit të qytetarëve unë mendoj se është faktor i shpifur, sepse sipas vullnetit të qytetarëve shqiptar, kufiri i Kosovës do të duhej të ishte në Nissus. Pra me ndryshimin e kufijve nuk ka punë vullneti i qytetarëve, por ka vullneti shtetëror në përputhje me vullnetin ndërkombëtar. Në gjendjen që ndodheni Kuvendi duhet të mos hesht, sepse aty janë të zgjedhurit e popullit dhe atyre u përket vendimi përfundimtar”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Mulliqi: Nuk besoj sot së ka qytetarë të Kosovës, që pranon ndarje etnike apo shkëmbime territoriale

Ndërsa, analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë se ne të gjitha variantet, ndarje të veriut mbi baza etnike, ose ideja e korrigjimit të kufirit apo shkëmbimet territoriale humbëse do të dalë Kosova, e fituese Serbia.

Image

Skender Mulliqi

“Është e pa falshme të prekën kufijtë ekzistues për të përmbushur apetitet shoveniste shekullore serbe. Ideja për ndarje siç e dinë shumica është e vjetër dhe buron nga Serbia. Autori i saj është “babai” i kombit serb, Dobrica Qosiqi, një inspirues i të gjitha tragjedive në ish-Jugosllavi. Ai si kryetar i Serbisë dhe i Malit të Zi, paraqiti projektin për ndarjen e Kosovës, ku 40 për qind të territoreve tona ti takojnë shtetit serb. Serbia u thirr gjoja në të drejtën historike, e një përkufizim i tillë sipas tyre do të ishte kompromis i palës serbe. Kjo ide shoviniste e Qosiqit u përcoll edhe të Millosheviqi që këtë projekt antishqiptar ta realizon më luftë. Këtë nuk e arriti, por arriti që të lënë mbrapa më mijëra viktima të pafajshme të popullatës civile shqiptare në tokën e tyre. Këtë ide për ndarje mbi baza etnike e përsëriti edhe ish presidenti serb, Boriq Tadiq, duke kërkuar 15 për qind të territorit të Kosovës, e tash edhe Vuqiq, dhe natyrisht duke mos i përjashtuar edhe eksterritoret te më së 40 kishave dhe manastireve serbe sa janë në Kosovë. Tadiq kishte deklaruar së “nuk është e mundur që shqiptarëve tu takojnë të gjitha, kurse serbët të mbesin duarthatë”, por që shteti serb sipas tij duhet të merret vesh më Tiranën zyrtare , duke e përjashtuar Prishtinën. Të gjitha dokumentet dhe të drejtat janë në anën tonë , duke filluar nga Kushtetuta e vitit 1974. Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008 , vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës i vitit 2010, dhe Kushtetuta e Kosovë”, ka thënë analisti Mulliqi.

Sipas tij, Kosova u pavarësua sipas planit të Marti Ahtisarit, ku minoritetit serb ju dhanë të drejta më shumë së çdo minoriteti tjetër në botë.

“Prandaj kur të sublimohen të gjitha këto askush nuk ka të drejtë, që në bisedimet më palën serbe, të pranohet diçka e tillë. Përkufizimet e qarta kushtetuese duhet më çdo kushte të ruhen në këto bisedime. Ka tre vjet që shumë është folur në opinion për shkëmbimet territoriale më Serbinë dhe është folur së ekzistojnë edhe plane të tilla të gatshme. Edhe përkundër demantimit të Grenelit, megjithatë duket së administrata e presidentit amerikan , Donald Tramp, ka ndryshuar pak sa qëndrimet lidhur më temën e “shkëmbimeve”, “ndarjeve” , apo “demarkimit” më Serbinë. Këtë e ka shprehur hapur Bollton i larguar nga posti , por edhe disa zyrtarë të lartë amerikan dhe analistë në zë, nuk e kanë përjashtuar një mundësi të tillë, nëse palët ne bisedime merren vesh për një projekt , apo për projektet në fjalë”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Ai tutje ka shtuar se pala shqiptare në bisedime, duhet të shkon mirë e përgatitur, e me qëndrime unike të dala nga Kuvendi si organi më i lartë i shtetit.

“Mendoj së lidhur më këtë temë shumë të ndjeshme, nuk ka asnjë nguti. Struktura e BE-së edhe Amerika ishte dashur të koordinohen më shumë lidhur më vazhdimin e bisedimeve të ndërsjella pa prejudikime .Ndryshimi eventual i kufijve në dëm të Kosovës, që na u bë edhe në të kaluarën duke e zgjeruar shumë here më territore shqiptare Serbinë, mendoj së nuk do të kalonte pa turbulenca të mëdha politike, por edhe të formave radikale për revidime kufijsh në Ballkan, kur dihet së Millorad Dodiq përfaqësuesi i serbëve në Bosnje , moti ka proklamuar vetësimin e Republika Sërpska nga BH-ja. Rifillimi i dialogut , duhet të bëhet mbi parimet se Kosova është projekt i pakthyeshëm në aspektin politik. dhe i paprekshëm në aspektin territorial. Kosova është njohur nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropiane dhe mbi 100 shteteve tjera të botës në kufijtë ekzistues. Nuk besoj sot së ka qytetarë të Kosovës, që pranon ndarje etnike apo shkëmbime territoriale”, ka thënë Mulliqi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *