Alarmante: Mungesë e oksigjenit në QKUK dhe spitale nga mbingarkesa me pacientët me Covid-19

Lajme

Koronavirusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi në gjithë Kosovën.

Mbingarkesa me pacientë në Qendrën Klinike Universitare dhe spitale rajonale, ka shkaktuar mungesë të oksigjenit për trajtimin e pacientëve të sëmurë me Covid-19.

Mbi 600 pacientë me Covid-në QKUK dhe spitale rajonale, ku rreth 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi. Por kjo terapi po sigurohet me shumë vështirësi në klinika dhe spitale rajonale, për shkak të numrit të madh të pacientëve që kanë nevojë për të, shkruan Gazeta Shneta.

Drejtor i Spitalit të Ferizajt Dr. Jeton Zeqiri ka thënë se po furnizohen më shumë vështirësi me oksigjen. “Nëse më herët kemi pas nevojë për 20 bombola me oksigjen brenda ditës, sot kemi nevojë për mbi 70 sosh”, ka deklaruar Zeqiri. Ai ka thënë se po furnizohen nga SHSKUK, por edhe me ndihmën e komunës së Ferizajt.

Dr. Mursel Pllana, drejtor i Spitalit të Vushtrrisë i cili u shndërrua në Covid, thotë se nuk kanë qenë fare të përgatitur për këtë transformim. Ai ka thënë se sot deri në ora 17:00 ka oksigjen, e ma tutje nuk e din se si do të veprohet.

“Po mundohemi të sigurojmë oksigjen kah po mundemi. 29 pacientë i kemi me oksigjenoterapi. Një pacienti i nevojiten së paku 2 bombola brenda 24 orëve. Furnizimin po mundohemi me bo nga të gjitha anët ku mundemi me gjet. Punëtorët e spitalit me vetura po shkojnë në rajone tjera ku ka teprica nga 2-3 bombola me i siguru”, ka deklaruar Murseli.

Vonesa të furnizimit ka edhe në Spitalin e Prizrenit. Shefi i Shërbimeve Teknike atje, Azem Krasniqi, ka thënë se iu nevojiten rreth 90 bombola në 24 orë, por SHSKUK po i furnizon vetëm me 50 sosh ndërsa të tjerat po sigurohen përmes një donacioni nga QKMF dhe komuna.

Spitali i Prizrenit është i vetmi në Kosovë që ka oksigjenin qendror në gjithë objektin, por deri më tani nuk ka pasur tank. Krasniqi ka treguar se po presin nga SHSKUK që t’ua vendos një tank i cili do ta stabilizonte në masë të madhe furnizimin me oksigjen për pacientët.
I brengosur për furnizim me oksigjen është edhe drejtori i Spitalit të Gjilanit Dr. Nisret Hajrullahu. Ai ka thënë se nuk po plotësohen as për së afërmi me oksigjen në bazë të nevojave që i kanë.

“Kemi shumë vështirësi, furnizimi është me sasi të vogël dhe diskrepancë të madhe nga nevojat që i kemi. Ne kemi nevojë 70-80 bombola brenda ditës ndërsa furnizimi është 30-35 maksimumi 40. Kemi bo intervenime edhe me blerje nga buxheti vetanak ku po mundemi me gjet”, ka deklaruar Hajrullahu.

Se ka vështirësi në furnizim nga rritja enorme e kërkesave për oksigjen në QKUK dhe spitale rajonale, e ka pranuar edhe menaxhmenti i SHSKUK-së. Zyrtarët kanë deklaruar se kërkesat janë shumë më të mëdha sesa që ishin planifikuar dhe për këtë janë detyruar të bëjnë një kontratë emergjente për tre muaj.

“Tashmë, komitetit i SHSKUK-së për menaxhim të situatës me covid-19, ka vendosur që të hapet procedurë të re për furnizim me oksigjen, ndërkohë që edhe Ministria do të ndihmojë. ShSKUK ka hapur procedurë të re vetëm për tre muaj për të lidhur kontratë të re, në mënyrë që të përmbushen kërkesat për furnizim me oksigjen në këtë kohë pandemie që siç e cekem janë shpenzimet enorme. Në bazë të procedurës së zhvilluar AK-SHSKUK, ka nënshkruar kontratë të re për tre muaj dhe pritet që të plotësohen nevojat”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Ndërkaq pronari i kompanisë “Medical Group” e cila ka kontratë dy vjeçare me QKUK-në për furnizim me oksigjen, Skender Kutllovci, ka thënë se po i furnizojnë spitalet me kapacitete 8 herë më shumë sesa është planifikuar.

Kutllovci ka deklaruar se brenda ditës e furnizojnë SHSKUK-në me 2 kamionë me bombola dhe një cisternë me oksigjen. “Ne poashtu ua kemi dhënë një tank 20 mijë litra në shfrytëzim i cili është duke u instaluar në QKUK, ndërsa tanku ekzistues do të dërgohet në spitalin e Prizrenit”, ka deklaruar ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *