Deputeti i LDK-së del kundër që Devollëve t’u jepet monopol edhe për analizë të COVID-19

Lajme

Deputeti i LDK’së: S’na duhet që Devollëve t’iu japim monopol edhe për analizë të COVID-19.

Deputeti i LDK’së, Haxhi Avdyli, ka reaguar rreth raportimeve se testet PCR për Sars-Cov-2 të cilat po bëhen në laboratorin privat “Medical & Laboratori Services” që është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, po iu kushtojnë qytetarëve kushtojnë 200 euro

Avdyli ka shkruar në Facebook se pandemia nuk luftohet kështu.

“Mjaft e kemi monopolin në homologim të makinave nga Devolli e monopole tjera të njohura e të panjohura. S’na duhet monopoli absurd me analiza për Covid. Kështu nuk luftohet pandemia. Kështu shkatërrohet ekonomia familjare.”, ka shkruar Avdyli.

Ai madje ka thënë se këto laboratorë që abuzojnë me çmime duhet të mbyllen dhe të rriten kapacitetet laboratorike nëpër komuna.

“Zgjidhja është e thjeshtë. Të mbyllen këto laboratore abuzive me çmime , e të rriten kapacitetet publike laboratorike në çdo komunë. Shtyne për vitin tjetër psh tenderin e dhënë te firmes Hidroterm të ministrit Blerim Kuqi, e bleni urgjent pajisjet për 7 laboratore në 7 komuna”, ka shkruar Avdyli.

Ai ka thënë se duhet të rritet numri i testimeve.

“Le të testohen çdo i dyshimtë e çdo rast kontakti. Le të rriten kapacitetet testuese ditore nga 400 sa janë tash , e le të bëhen deri 4000 testime në institucione publike. Shëndeti mbi të gjitha. T’i mbrojmë qytetarët nga sëmundja por edhe nga shpenzimet enorme që po derivojnë nga sëmundja Covid19”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Ministria e Shëndetësisë i ka licencuar shumë spitale private me licenca për të kryer teste për COVID, shumicën për teste serologjike, mirëpo hisen kryesore të tortës e ka ndarë për një pjesëtare të familjes oligarkike, vajzën e Blerim Devollit.

Laboratori i saj është për momentin i vetmi që po kryen teste PCR.

Çmimi për një test të tillë në “Medical & Laboratory Services” është 200 euro, shumëfish më i lartë se në shumë shtete të Evropës.

Në Gjermani, ky test mund të bëhet kundrejt një pagese prej 40 eurosh.

Qytetari Izet Berisha e ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook një faturë për test PCR, të lëshuar nga laboratori i Vlera Devollit.

“Çfarë turpi”, ka shkruar ai, duke iu referuar çmimit prej 200 eurosh që ka caktuar laboratori i Devollit për testin për Covid-19.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *