(E plotësuar) – Ish-ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka folur në tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“LVV në 15 vjetorin e themelimit e gëzon mbështetjen më të madhe nga qytetarët e Kosovës.”, tha Haxhiu.
“Mbërritja këtu është rezultat i punës dhe angazhimit. Në dhjetorin e vitit 2010 LVV mori pjesë për herë të parë në zgjedhje duke u bërë pjesë e Kuvendit. Angazhimin tonë në kuvend e jetësuam për të shtuar në realizimin e synimeve. E përballë nesh, patëm individë e grupime që morën vendime në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, abuzuam me detyrën zyrtare dhe e zhvatën pasurinë e Kosovës. Hajnat n’burg, por hajnat shkojnë në burg vetëm kur qeverisë Lëvizja Vetëvendosje. Betejat tona shpesh ishin të vështira. Ne u kalitëm në përballje me të padrejtë, e në përpjekje të sinqerta, ku vendit i dhamë frymën e debatit dhe mendimit. Ne e ngjallëm virtytin e kritikës dhe nivelin e përfaqësimit sepse hymë në kuvend jo për t’u rehatuar, por për ta transformuar, opozita për ne nuk ishte debat, ishte rezistencë. Nuk u frikësuam dhe as nuk mundën të na shantazhojnë, pas çdo përballje dolëm edhe më të fortë, siç jemi sot.”, tha Haxhiu
Ajo në fund tha se qeveria Hoti nuk do të jetë jetëgjatë.
***
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur në tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka folur edhe për pandeminë duke falënderuar qytetarët, mjekët, infermierët, psikologët dhe kushdo që ka ndihmuar.
“Çdo ditë në organizimin politik është ditë e kapërcimit të vetës, sot duket se u kapërcyen të pakapërcyeshmit, shfaqen kreshta të reja, një nga këto kreshta sapo e kapërcyem në këmbë dhe solidarë. Të tjera sfida kemi përpara, ndoshta edhe më të rënda, por këto sfida janë fitore që na ngjitin në maja më të larta ku do të duket edhe më shumë drita. Së bashku do të kalojmë çdo sfidë me vizion e vullnet, pa u ndalur. Gjatë këtyre muajve e kemi parë se sa është i rëndësishëm vullneti i mirë, aktivisti, qytetari aktiv dhe puna vullnetare. Betejen me pandeminë do ta kishim të pamundur pa mjekët, pa infermierët, pa studentët, pa psikologët që kanë rrezikuar vetën për të shpëtuar dhe për të na shërbyer neve.”, tha Vitia.
Ish ministri Vitia ka folur edhe për vullnetarët dhe aktivistët e VV-së.
***
Në tubimin e VV-së ka folur edhe deputetja e kësaj partie, Saranda Bogujevci.
Ajo ka treguar se e ndanë këtë ditë edhe si ditëlindja e saj.
Ajo tha se askush nuk guxon të shkelë mbi sovranin dhe qytetarin.
“Kemi dhënë shumë për këtë ditë, por për të festuar lirinë që e kemi tani, do të duhej të ndërtonim shtet të fortë, shtet demokratik, të barabartë, ne ende nuk kemi mund t’i heqim pengesat që e pengojnë aspiratën tonë. Ne së bashku mund të ndryshojmë vendin tonë. Askush nuk guxon të jetë mbi sovranin dhe qytetarin e këtij vendi.”, tha Bogujeci.
Bogujevci ka thënë gjithashtu se së shpejt do të ketë zgjedhje në Kosovë ku edhe do të marrin të drejtën të vendosin për zgjedhje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në tubimin që po për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Aliu tha se sot po festohet përvjetori i dyfishtë, në sheshin ku sipas tij bëhet thirrje për liri dhe barazi tash e sa vjet.
Në manifestimin për 15 vjetorin e themelimit të LVV-së dhe 21 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Aliu tha se sot po kujtohet këmbëngulja e djemve dhe vajzave, duke shtuar se para 15 vitesh u themelua LVV, se kishte shumë për t’u bërë për vend.
“Në këto ditë përvjetorësh LVV mbledh forcat e para. E mua kujtesa më kthen tek organizimet që kishim në selinë në Pejton. Në përvjetorë të tillë plot kujtesë, sot jemi dyfishur. Dashuri për qytetarët, për popullin tonë të vuajtur, pasi kur vepron pranë qytetarët, populli e kupton që lëvizje do të thotë të bësh ndryshim të thellë në këtë vend. E mbi të gjitha ta bësh me popullin, populli nuk të braktis as nuk të lë ta braktisësh”, tha Aliu.
***
Zyrtari i lartë i VV-së nga Shqipëria, Boiken Abazi, në fjalimin e mbajtur në tubimin e VV-së, thotë se muajt në vijim janë vendimtare për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.
Abazi tha se me LVV-në fillon edhe “Pranvera Shqiptare”
“E gjitha Shqipëria i kishte sytë nga Kosova këtë pranverë. Shqipëria e ndjeu se Vetëvendosjes iu bënë padrejtësi dhe prandaj jemi sot dhe gjithmonë me ju. Kosova po e përjeton çlirimin e dytë u ndje fillimi i pranverës shqiptare. Muajt që vijnë janë vendimtare dhe do të ndalim çdo plan për copëtim” tha Abazi.
***
Deputeti Liburn Aliu, para turmës së mbledhur të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se sot është tubim i dyfishtë. Për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, dhe 15-vjetorit të themelimit të VV-së.
“Jemi popull kryengritës që nuk heq dorë nga liria e tij”, tha ai.
Aliu tha se brenda një viti, kur edhe u themelua, VV-ja ka bërë qindra aktivitete.
“Sot jemi shumëfishuar e jemi të parët, po bëhemi më shumë se gjysma e popullit”, tha Aliu.
Aliu para qindra qytetarëve, tha se “dashurinë për popullin e vjedhur e të vuajtur”, VV-ja gjithmonë e ka pasur.
“Duke qëndruar para qytetarëve populli e kupton se Lëvizje do të thotë të bësh ndryshim të thellë”, tha ai.
***
Me himnin kombëtar, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur tubimin e sotëm në sheshin “Skënderbeu”.
Himni, është këndur drejtpërdrejt.
Ndërkohë, në turmën e mbledhur janë dëgjuar brohoritjet “Duam zgjedhje”, dhe “Me hajna, nuk ka shtet”.
***
Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Tubimi po mbahet në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.