Glauk Konjufca: Hapja e 58 shtëpive në veri në ditën e të pagjeturëve, nuk ishte e rastësishme

Lajme

Konjufca: Hapja e 58 shtëpive në veri në ditën e të pagjeturëve, nuk ishte e rastësishme.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me hapjen e 58 shtëpive të reja në veriun e Kosovës.

Sipas tij, hapja e tyre vjen pikërisht sot në ditën e të pagjeturëve, nuk është e rastësishme nga ana e shtetit të Serbisë.

“Përmes kësaj tregon që nuk ka asnjë keqardhje a pendesë për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë. Përkundrazi: jo vetëm që e mban të burgosur të vërtetën për të rrëmbyerit, por e vazhdon para hundës së qeverisë tonë kolonizimin e Kosovës”.

“Ky është kolonizim tipik. 58 shtëpi të koncentruara, në një lagje te vetme, në pjesën më strategjike të pjesës së veriut. Shtëpi të ndërtuara nga qeveria e Vuçiqit aty ku më parë kurrë nuk kishte asnjë shtëpi”.

“Në anën tjetër delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë në Bruksel pranon tema të tilla siç ishte kthimi i serbëve që e kanë lëshuar Kosovën që prej vitit 1976. Në momentin që pranohet për dialog një temë e tillë, automatikisht legjitimohet teza e Akademisë Serbe se shqiptarët paskan ushtruar presion dhe apartheid ndaj serbëve të Kosovës. Përmes këtyre konstrukteve shoveniste Serbia synon ta mbulojë gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve”.

“Asnjë reagim nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Kur ta merr vesh kryeministri Hoti këtë veprim nga mediat, me siguri del edhe e dënon ‘ashpër’. E kjo është dukshëm më pak se që bën një OJQ aktive për këtë çështje”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social Facebook.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *