Insiston Rakiq: Themelimi i asociacionit nuk është tekë e Listës Serbe, por detyrim ndërkombëtar

Lajme

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetari Igor Simiq dhe Kryetari i Mitrovicës veriore, Milan Radojeviq, kanë mbajtur sot takim me anëtarët e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Në këtë takim, Rakiq, i cili njëherësh është edhe ministër i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, së bashku me Simiq dhe Radojeviq kanë deklaruar se Prishtina duhet t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara, duke përmendur këtu edhe marrëveshjen për themelimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe, transmeton lajmi.

Sipas ministrit Rakiq, themelimi i asociacionit nuk është një tekë e Listës Serbe, por një detyrim ndërkombëtar, përmbushjen e të cilit, sipas Rakiq, e ka garantuar vet Bashkimi Evropian.

“Marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen, sepse ato janë nënshkruar, ato obligojnë gjithçka, dhe sepse kjo është mënyra e vetme që ne mund të arrijmë kushte më të mira jetese dhe t’i ndërtojmë njëri-tjetrit besimin që na nevojitet sot”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Më tej, në këtë takim është diskutuar edhe për operacionet e Njësisë Speciale të Kosovës në veri të vendit, të cilat janë cilësuar si veprime kundër popullit serb dhe janë të rrezikshme, sepse sipas tyre, shkaktimi i frikës dhe trazirave mund të kërcënojë edhe më tej situatën e sigurisë.

“Theksohet se Lista Serbe mbështet dialogun si mënyrë themelore për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe çështjeve të hapura, sepse dialogu është e vetmja rrugë dhe vendi ku mund të zgjidhen këto çështje dhe kërkon që të gjithë, veçanërisht nga Bashkimi Evropian të bëjnë gjithçka”, thuhet në njoftim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *