Kurti: Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit

Diaspora Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po i analizon shkaqet e rezultatit të zgjedhjeve lokale.

Në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u mbajtën më 14 nëntor, Vetëvendosje fitoi në katër komuna nga 38 gjithsej. Ky rezultat, sipas kryeministrit Kurti, është i pakënaqshëm.

Kryeministri Kurti ka thënë se kanë pritur që do të kenë rezultat më të mirë dhe, rrjedhimisht, ka theksuar se rezultati nuk është i kënaqshëm.

Ai ka thënë se tani po e bëjnë një lloj analize të brendshme për defektet strukturore dhe organizative, të cilat me siguri që janë shkak i rezultatit të pakënaqshëm. Por, në anën tjetër, tha se është edhe fakti që kishte një lloj bashkimi shumë të madh, një koordinim të të gjithë të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti tha se këta dy faktorë kanë përcaktuar një rezultat jo të mirë për LVV. Por shtoi, se aty ku janë opozitë, do ta bëjnë opozitën e mirë e të fuqishme, e aty ku janë në qeverisje, do ta bëjnë qeverisjen e mirë dhe efikase.

A mund të na shpjegoni më shumë defektet që po i përmendni?

Albin Kurti: Së pari, unë kam zhvilluar tashmë një takim me 12 kandidatët që i kemi pasur në balotazh – edhe ata që kanë fituar, edhe ata që nuk kanë fituar. Jemi duke pritur një raport të shtabit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje, mbi bazën e të cilit pastaj do të diskutojmë në kryesi. Ajo që mund të them se është evidente, është [fakti] se Lëvizja Vetëvendosje, në këto vitet e fundit, në këta katër vjetët e fundit, është rritur jashtëzakonisht shumë. Ne nuk kemi më as struktura, as organizatë, e cila është e përshtatshme për nga përmasa dhe as funksionale për nga përbërja, që t’i përgjigjet një rritjeje të këtillë. Pra, edhe zgjedhjet e 6 tetorit, 2019, edhe zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, na e kanë rritur shumë mbështetjen si Lëvizje Vetëvendosje dhe nuk kemi arritur që të mbajmë zgjedhje të brendshme dhe të krijojmë struktura që do të ishin adekuate për këtë situatë. Kjo është evidente, por natyrisht se ka edhe defekte të tjera, me të cilat do të na duhet të merremi.

“Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit”

Disa analistë politikë, por edhe pjesëtarë të opozitës kanë thënë se rezultati i zgjedhjeve lokale pasqyron një lloj ndëshkimi të Lëvizjes Vetëvendosje nga votuesit. A konsideroni ju se ka pasur një ndëshkim të tillë?

Albin Kurti: Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit. Mendoj që mund të ketë pasur lëshime nga ana jonë, e strukturave tona. Por, unë besoj që qytetarët nuk e duan më pak Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundrazi. Në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti, ne u bëmë me votat e gjithmbarshme të parët edhe në nivel vendi, siç kemi qenë edhe në zgjedhjet parlamentare. Pra, në vitin 2017 ishim në nivelin e tretë, në rangun e tretë për zgjedhjet lokale. Tash jemi të parët edhe aty.

Mirëpo, zgjedhjet lokale, për dallim prej zgjedhjeve parlamentare, janë një lloj tjetër i lojës dhe rregullave elektorale. Është pak a shumë sikur në tenis, ku mund të fitosh shumë ‘game’, por mund të humbasësh set-in. Edhe ne, me votën e gjithmbarshme të popullsisë, jemi të parët në Republikë për zgjedhjet lokale, ndonëse do të kemi kryetarë vetëm në katër komuna.

A mendoni se kanë luajtur rol edhe kandidatët që i keni pasur?

Albin Kurti: Padyshim, por kandidatët janë përzgjedhur nga një lloj bashkëpunimi midis qendrave tona, degëve tona dhe kryesisë së Lëvizjes. Ndoshta ka mundur më mirë, mirëpo unë jam i bindur se këta 12 kandidatë që i kemi pasur në balotazh, nuk kanë mundur të përzgjidhen më mirë. Por, ka pasur koordinim tejet të madh të të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo mendoj se nuk ka të bëjë aq shumë me pushtetin lokal dhe vizionet për komunat, por ka shumë më tepër të bëjë me një lloj kundërvënieje ndaj pushtetit qendror, që ka dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, e që vazhdojnë të jenë një lloj traume opozitare.

Përmendët që do të bëni opozitë aty ku është e nevojshme në nivel lokal. Por, si pritet të jetë bashkëpunimi me kryetarët e zgjedhur nga niveli qendror, nga ju si kryeministër?

Albin Kurti: Unë sigurisht që do të bashkëpunoj me të gjithë kryetarët. Ata do të kenë shumë punë për t’iu shërbyer qytetarëve, sa u përket detyrave institucionale që i kanë, shërbimit publik që banori i komunës duhet ta marrë. Por, po ashtu synoj që të bashkëpunoj me ta edhe sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit. Kjo është tejet e rëndësishme, sepse nuk mund të ketë zhvillim, nëse ka korrupsion, nëse ka krim, nëse ka keqpërdorime. Prandaj, sidomos në fushën e luftimit të krimit dhe korrupsionit do të kërkoj bashkëpunimin me kryetarët e komunave dhe do t’i mbikëqyr ata me vëmendje.

E keni përmendur edhe një çështje, atë që e keni quajtur mafi të ndërtimit, si dhe krimin e korrupsionin që ndodhin në nivelin lokal. A do të ketë presion në kryetarët e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje në këto komuna që të bëhet një luftë më e ashpër në këtë drejtim?

Albin Kurti: Po të ishin kryetarët nga Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të isha natyrisht me më shumë besim, se rezistenca ndaj mafias ndërtimore, që dëshiron që qytetet tona t’i shndërrojë në kantiere ndërtimi për shpëlarjen e parasë së pistë… Do të ishte më i madh ky lloj besimi që do të kisha në rezistencë të suksesshme. Tash duhet të angazhohem më shumë, por nuk do të mund të ketë zmbrapsje të shtetit ndaj cilitdo individ ose grupacion. Pra, shteti do të jetë më i fuqishëm se çdo individ dhe se çdo grup, në mënyrë që të kemi sundim të ligjit dhe demokraci. Unë dua të besoj që bashkë do t’ia dalim, mirëpo natyrisht që do të varet edhe prej vetë kryetarëve të komunave se në çfarë mase do të jenë në nivel të detyrës. Pra, kushtetutshmëria, ligjshmëria, rregullat, interesi publik, e jo ato tjerat.

The post Kurti: Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit appeared first on meKryeministrin.info.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *