Komuna e Prishtinës po pretendon se deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj po e mban të uzurpuar një parcelë të tokës komunale në lagjen “Arbëria”, konkretisht në rrugën “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Ka disa vite që Komuna e Prishtinës e ka hartuar Projektin për evidentimin e pronave komunale.
Ky dokument është i publikuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës.
Aty shkruan se Daut Haradinaj po e mban tokën komunale në hapësirë prej 550 metra katrorë, pa pasur asnjë marrëveshje me Komunën e Prishtinës.
Numri i ngastrës kadastrale të parcelës në lagjen “Arbëria” është 4382-0.
Nuk është caktuar viti ose data se kur kjo tokë është uzurpuar, por evidentimi i pronave të paraqitura aty është thënë se është bërë në dhjetor të vitit 2014. Ndërkohë, sipas të dhënave të Komunës, toka figuron akoma aty në emrin e Daut Hardinajt, duke u shfrytëzuar pa një kontratë me Komunën.
Një parcelë e tillë me sipërfaqe të njëjtë nuk është paraqitur asnjëherë nga deputeti Haradinaj në deklarimin e pasurisë, të cilin e ka shpalosur në Agjencinë Kundër Korrupsionit, si deputet i Parlamentit të Kosovës, detyrë të cilën e ka ushtruar nga viti 2011 e deri para pak muajve, sipas mediave.
Në këtë dokument gjendet edhe emri i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ku shihet se i njëjti ka në shfrytëzim një parcelë të tokës në hapësirë prej 800m2 për shfrytëzimin e të cilës thuhet se ka kontratë me Komunën e Prishtinës. Kjo tokë gjendet në rrugën “Selim Berisha” në lagjen “Arbëria”.
Sipas dokumentit të Komunës i cili decidivisht quhet: “lista e pronave komunale”, rreth 100 parcela të Komunës së Prishtinës llogariten si të uzurpuara vetëm në qendër të kryeqytetit. Mbi këto prona ka ndërtime të larta e të ulëta, rrethoja e parkingje pa lejen e Komunës.
Aty është paraqitur: numri i ngastrave të evidentuara, hapësirës sipërfaqësore të tyre, numri i shfrytëzueseve që kanë poseduar parcelat, të cilat janë evidentuar si prona të lira, të shfrytëzueshme. Nga ky evidentim ka rezultuar se gjithë Prishtina ka sipërfaqe në pronësi të saj tokë prej 2996 ha 49 ari 27 m2, dhe shfrytëzues të këtyre pronave janë evidentuar 6183 persona me ose pa leje. Dhe në këtë evidentim nuk kanë mundur të regjistrohen të gjitha pronat.
Ky dokument ishte bërë publik me të marrë pushtetin Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë në vitin 2014, derisa përgjatë periudhës sa ka qëndruar në pushtet kjo parti, asnjëherë nuk ka paraqitur interes që këto prona te kthehen nën autoritetin e komunës.
Dokumenti, i cili është i publikuar që disa vite, ku evidenton edhe Haradinajn si uzurpator, është i publikuar në rubrikën e Drejtorisë së Pronës. Kjo drejtori udhëhiqet nga Brahim Mehmetaj, i cili është kryetar i degës së AAK-së në Prishtinë.
Daut Haradinaj është në garë për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit që do të mbahen këtë vit./meKryeministrin.info/
The post Luan Haradinaj figuron si uzurpues i një prone në Prishtinë appeared first on meKryeministrin.info.