Në luftë me pandeminë shtetet e rajonit, rreziku i afrohet edhe Kosovës

Lajme

Shtetet e rajonit në luftë me pandeminë, rreziku i afrohet edhe Kosovës.

Shifra të larta të infektimeve me COVID-19 e të viktimave, po regjistrojnë shtete të shumta në javët e fundit. Megjithëse një situatë e qetë po vazhdon të paraqitet në Kosovë. Ndonëse vendi ka një numër më të vogël të popullsisë të vaksinuar kundër këtij virusi në krahasim me shtetet tjera, rastet e regjistruara përditë në Kosovë janë shumë më të pakta.

Asnjë viktimë dhe 14 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar të mërkurën në Kosovë . Vendi po vazhdon të ketë një situatë të qetë epidemiologjike krahasuar me shtetet tjeranë të cilat spitalet janë mbushur me pacientë, e numri i viktimave vazhdon të jetë i lartë.

Infektologë në vend thonë se vaksinimi i popullsisë, infektimi i një pjese të tyre me virus gjatë muajve të kaluar, masat Anti-COVID, e testimi i një numri më të ulët të qytetarëve kanë ndikuar që vendi të regjistroj një numër më të ulët të rasteve të infektuara me koronavirus.

Megjithëse, ata thonë se kjo situatë e qetë do të zgjasë edhe pak kohë, pasi që në javët në vijim edhe në vend do të rriten rastet e infektuara.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për Express se situata në Kosovë është ende e pasigurt.

Ai ka deklaruar se vaksinimi i një pjese të popullsisë e masat Anti-COVID kanë pasur një rol të rëndësishëm në mosregjistrimin e një numri të lartë të rasteve të infektuara me virus në javët e fundit.

Ndërsa, ai ka përmendur edhe numrin e ulët të testeve që po kryhen (Më pak se 2 mijë) në statistikat e përditshme të infektimeve.

“Kosova për fat të mirë për momentin është në një situatë të qëndrueshme. Masat që janë ndërmarrë dhe vaksinimi që është duke u forcuar janë disa faktorë të cilët për momentin po e mbajnë situatën të qëndrueshme ose të kontrollueshme. Edhe mostrat e marra janë ende të vogla, duhet të merren më shumë se 1 mijë e 500 mostra, të bëhen edhe 3 mijë, 4 mijë e 5 mijë teste që të bëhet kapja e infeksioneve të mundshme”, ka deklaruar ai.

Ramadani është shprehur se ashtu si edhe shtetet tjera, edhe Kosova në javët në vijim mund të ballafaqohet me një valë të re të pandemisë, pasi që sipas tij vendi është ende larg imunitetit kolektiv.

“Mbetet që javët në vijim të shihet nëse vendi ynë mund të qëndrojë kështu. Por, frikësohem nga këto tubime e manifestime e masat që s’po respektohen, që janë faktorë që nuk duhet të mendojmë se në vendin tonë nuk do të ndodh një rritje e infeksioneve. Virusi nuk do ta përjashtoj edhe vendin tonë. Mjeti kryesor i mbrojtjes është vaksinimi, nëse përqindja është mbi 70 për qind”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka thënë për Express se pastabiliteti në rajon, mund të ndikojë edhe në vendin tonë.

Përkundër që situata epidemiologjik tani është më e qetë, ai ka thënë se ekziston mundësia e përhapjes më të madhe të infeksionit si në shtetet tjera.

“Ne i kemi vetëm 3 pacientë që jemi duke i trajtuar, 4 reparte të tjera janë të mbushura me pacientë të rëndomtë. Por pastabiliteti në rajon i situatës epidemiologjike mundet të ndikojë edhe në vendin tonë si në shtetet tjera të rajonit dhe mundësia e përhapjes së infeksionit ekziston. Ne duhet të jemi të qetë e t’i aplikojmë të gjithë masat”, ka thënë ai.

Vishaj ka theksuar se vaksinimi i qytetarëve mund të ndikojë që numri i infektimeve të jetë më i ulët.

Sipas tij, sa më i madh të jetë numri i të vaksinuarve, do të përballohen më lehtë valët e reja të COVID-19.

“Sa më shumë që popullata i përgjigjet vaksinimit, sa më shumë që njerëzit vaksinohen, valët që janë të mundura të vinë me shkallë të larta të infektimit do t’i përballojmë me lehtësi. Familjet që janë të vaksinuara do ta përballojnë me lehtë situatën, nuk do të kenë familjarë të sëmurë e të shtrirë në spital. Ne deri më tani në të gjitha fazat kemi pas pacientë në numër të madh dhe i kemi trajtuar, asnjë pacientë nuk na ka mbet pa i ofruar shërbim shëndetësor cilësorë”, ka shtuar ai.

Vishaj ka thënë se pasi vaksinat janë falas dhe ka mjaftueshëm doza, qytetarët duhet të mos ngurojnë dhe t’i marrin ato.

Përndryshe, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se numri më i madh i qytetarëve është vaksinuar kundër COVID-19 dhe se me mundësitë që janë ofruar së fundmi për vaksinim, presin që të rritet interesimi për të marrë vaksinën.

“Numri më i madh i qytetarëve janë vaksinuar, ndërsa është krijuar çdo mundësi që të vaksinohen edhe ata që këtë se kanë bërë ende, duke siguruar vaksina mjaft, duke hequr terminet, duke vaksinuar përveç në qendrat e vaksinimit dhe me ekipe mobile dhe duke mundësuar vaksinimin edhe të fëmijëve prej 12-15 vjeç(me Pfizer) dhe duke u mundësuar edhe atyre që nuk janë shtetas të Kosovës, por që janë në Kosovë të vaksinohen. Kjo pritet të nxis edhe një valë interesimi për t’u vaksinuar drejt arritjes së imunitetit kolektiv”, është thënë nga kjo ministri.

Ndërsa, dje nga Ministria i Shëndetësisë është bërë e ditur se tashmë në vend është i pranishëm edhe varianti Delta Plus i COVID-19. Ky variant është vlerësuar si më i transmetueshëm se ai Delta por që bart të njëjtin rrezik të shtrimit në spital.

Kujtojmë që për dallim nga Kosova, shtete të rajonit po regjistrojnë mijëra raste të infektuara me COVID-19 e dhjetëra viktima.

Dje në Serbi janë regjistruar 4 mijë e 606 raste të reja me COVID-19 dhe 61 viktima.

Shqipëria dje ka raportuar 690 raste të reja të infektuara me COVID-19 dhe 5 viktima ndërsa Maqedoni e Veriut ka raportuar 656 raste të reja dhe 13 viktima.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *