Albin Kurti thotë dështimi i Serbisë në GJND nuk u shfrytëzua nga Kosova

Lajme

Sot bëhen 10 vite që prej kur Kosova mbrojti pavarësinë e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Lideri i Lëvizjes së Vetëvendosjes ka thënë se dështimin që e pati Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) dhjetë vjet më parë, nuk është shfrytëzuar nga Kosova.

GJND-ja në mendimin e saj këshillues kishte konstatuar se Serbia nuk ka të drejtë në pretendimin e saj se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Dështimi i Serbisë në GjND nuk u shfrytëzua nga Kosova. Është për të ardhur keq që në këtë dekadë ky mendim i GjND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës. Në vend se ta forcojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe shtetëndërtimin e brendshëm, qeveria e atëhershme pat hyrë në dialog teknik e pastaj politik me Serbinë, gjithnjë për çështje të brendshme të Kosovës, duke e mbuluar rëndësinë e këtij vendimi dhe duke lejuar që të krijohet përshtypja se Kosova po rinegocion statusin e saj. GjND na ka pajisur me një armë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Kurrë s’është vonë për ta mirëpërdorur”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *