Bogujevci: Historikisht Ballkani Perëndimor ka qenë fushëbetejë e interesave të ndryshme

Diaspora Lajme

Duhet punuar për të arritur një marrëveshje të përbashkët të paqes si rajon, për të eliminuar çfarëdo mundësie konflikti, ka deklaruar Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Bogujevci e ka thënë këtë gjatë Sesionit të Tetë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Ajo iu drejtua pjesëmarrësve online.

Sa i përket çështjes së sigurisë në rajon, nënkryetarja Bogujevci theksoi se ajo është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Bashkimit Evropian, sepse, siç tha ajo, historikisht Ballkani Perëndimor ka qenë fushëbetejë e interesave të ndryshme dhe akterëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë, dhe në mënyre direkte ka afektuar sigurinë e Bashkimit Evropian.

“Për të eliminuar çfarëdo mundësie të konfliktit apo kërcënimit të sigurisë përbrenda rajonit, sugjeroj që të punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje të përbashkët të paqes si rajon, e që do të dërgonte sinjal të fuqishëm të vendet tjera të Bashkimit Evropian, por edhe që do të mund të përdoret si model i tejkalimit të konflikteve ndërmjet shteteve në rajonet e tjera të botës, ku konfliktet ende vazhdojnë. Jo rrallëherë platformat e rajonale janë kontribues të arritjes së paqes së qëndrueshme dhe sigurisë të përhershme“, theksoi Bogujevci.

Sesioni Plenar u parapri nga takimet e komisioneve te përgjithshme dhe Komisionit të përhershëm qendror, të cilat u mbajtën javën e kaluar online në Prishtinë dhe Stamboll, si dhe takimi i Komisionit të përhershëm qendror, i cili u mbajt dje.

Zëvendëskryesuesi i delegacionit serb, Gjorgje Miliçeviq në fjalimin e tij fokus kryesor kishte Kosovën. Sipas tij, Kosova “është duke injoruar marrëveshjen e Brukselit dhe se popullata dhe kisha serbe në Kosovë janë të rrezikuara“.

“Ne dëshirojmë të arrijmë marrëveshje konsensuale por kjo nuk do të thotë që do të lejojmë të shkatërrojmë të gjitha marrëveshjet e arritura me shumë mund. Ne jemi të barabartë si njerëz por nuk jemi të barabartë si shtete. Kosova nuk është shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe nuk është njohur nga pesë vendet anëtare të SEECP-së“, theksoi ai.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli Dalipi, tha se nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila iu drejtua me një fjalë rasti Asamblesë, ka pasur mundësi të drejtohet me një gjuhë tjetër ndaj Serbisë. Ajo shtoi se Saranda ishte vetëm 13 vjeçe kur në trupin e saj u shkrepën dhjetëra plumba, duke mbijetuar, përkundër se në trupin e saj të njomë kishte 16 plumba. Por, ajo zgjodhi gjuhën e bashkëpunimit.

“Dua t’ju njoftoj se ne anëtarët e delegacionit të Prishtinës që jemi prezent sot, e kemi parë vdekjen me sy kur ushtria serbe pamëshirshëm pati sulmuar Kosovën. Ne ishim fëmijë atëherë. U detyruam të ikim nga shtëpitë tona. Serbia ka vrarë të afërmit, shokët e shoqet tona. Ka masakruar fëmijë e gra. Serbia ka dhunuar mbi 20.000 gra. Për ne është vështirë të ulemi e të flasim për bashkëpunim me Serbinë e cila na ka vrarë e masakruar dhe akoma nuk ka kërkuar falje për atë që ka bërë. Por, ne kemi zgjedhur gjuhën e bashkëpunimit sepse besojmë që rruga jonë e vetme drejt të ardhmes është përmes bashkëpunimit“, theksoi Pacolli.

Ajo falënderoi të gjithë përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse për reagimin që patët karshi gjuhës së papranueshme të Serbisë, e cila shkeli prarimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.

Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore i kryesuar nga Turqia si Kryesuese në detyrë, mbylli punimet e tij me miratimin me konsensus të dokumentin kryesor, Deklaratësë së përbashkët përfundimtare./meKryeministrin.info/

The post Bogujevci: Historikisht Ballkani Perëndimor ka qenë fushëbetejë e interesave të ndryshme appeared first on meKryeministrin.info.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *