Dy ministrat shqiptarë e dënojnë fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Lajme

Haradinaj-Stublla dhe Cakaj e dënojnë fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bashkë me homologun e saj nga Shqipëria, Gent Cakaj, shprehen se janë të shqetësuar lidhur me procesin e fshirjes të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga Qeveria e Serbisë.

Të dy ministrat kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për këtë duke thënë se fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është duke krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por është duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës, transmeton Klan Kosova.

“Kjo praktikë shtetërore e zbatuar në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe të qëllimshme përbën edhe një formë të re të shtypjes së ushtruar ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Prandaj, ndërsa ne e dënojmë fuqimisht këtë praktikë institucionale, u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë ta ndërprejnë menjëherë punën sistematike për pasivizimin e adresave te shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë”.

“Kjo praktikë shtetërore nuk dëmton vetëm të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe një shpërfillje të plotë të standardeve demokratike në përgjithësi”.

Në deklaratën e përbashkët më tutje thuhet se u bëjnë thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare të reagojnë për këtë veprim të Serbisë.

“Po ashtu, ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse ndërkombëtare, në radhë të parë Komiteti Këshillues të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve të Këshillit të Evropës dhe Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Minoritetet Kombëtare, për ta përcjellë këtë proces me vëmendje të shtuar dhe për të vepruar për parandalimin e këtij procesi me pasoja afatgjata ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi”, thuhet në deklaratë.

Këtu keni deklaratën e plotë:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *