Presidentja Osmani është takuar me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve, Nicholas J. Giacobbe, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend pas vendimit për reciprocitet të targave me Serbinë.
Sipas Presidentes Osmani Serbia po tenton ta destabilizojë situatën, gjë që sipas saj është në vazhdën e përpjekjeve ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të SHBA-ve, BE-së, dhe NATO-së në Kosovë dhe rajon.
Presidentja Osmani ka thënë se vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm. Ajo ka theksuar se zbatimi i kësaj mase nga institucionet tona është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë.
Presidentja Osmani e ka bërë të qartë po ashtu që Kosova në asnjë moment nuk ka qëllim të eskalojë situatën. Në veçanti, ajo ka potencuar se përkushtimi kryesor i institucioneve të vendit është mirëmbajtja e rendit dhe ligjit si dhe mbrojtja e secilit qytetarë në Republikën tonë. Duke folur për procesin e dialogut, Presidentja Omani ka konfirmuar se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e tij dhe ritheksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë të palëve të përfshira në të.
Ndërsa, Giacobbe ka potencuar se për SHBA-të, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, duke shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të vazhduar tutje.
The post Giacobbe: për SHBA sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm appeared first on meKryeministrin.info.