Haradinaj i shkruan Kurtit, pres distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi

Diaspora Lajme

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministër, ka njoftuar se i ka shkruar një letër kryeministrit Albin Kurti, ku kërkon nga ai distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundertën thot se e vlerëson që qendrimet e Zëvendëskryeministrit dhe të Kryeministrit janë në pajtushmëri të plotë.

Sipas Haradinaj politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit është skandaloz, po rrezikohet projekti më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik për Kosovën

Letra që sot i ka dërguar Haradinaj kryeministrit Kurti

I nderuar Kryeministër Kurti,

Në maj të vitit 2019, Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga unë si Kryeministër i vendit, miratoi propozimin për të përfituar nga granti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt. Si rezultat, ne krijuam dhe mbështetëm një ekip ekspertësh vendor dhe me ç’rast nënshkrova marrëveshjen e Fondit të Zhvillimit Kompakt (CDF).

Si rezultat, programi Kompakt u zhvillua në koordinim të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjencisë MCC dhe politikat e Qeverisë Amerikane, dhe pas shumë konsultimeve me të gjithë akterët në sektorin e energjisë, u identifikuan projekte brenda programit për mbështetje për të cilat janë kryer studime të para-fizibilitetit, siç janë:

Zhvillimi i Sektorit të Gazit -Diversifikimi i Sektorit të Energjisë;

Balancimi i Sistemit të Gjenerimit përmes krijimit të rezervave të energjisë për rrjetin e Transmisionit;

Fuqizimi i Sektorit të Energjisë.

Tani, konsideroj se zhvillimet që kanë pasuar me Qeverinë Kurti, politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për vendin si dhe partneritetin me SHBA-në.

Zëvendëskryeministri Bislimi e etiketoi dhe e përshkroi Projektin e Gazit si një projekt rus, mohoi vendimet e qeverive të mëparshme dhe dezinformoi publikun me shumë të pavërteta të dëmshme.

Nga ju Kryminister pres distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundertën e vlerësoj që qendrimet e Zëvendëskryeministrit dhe të Kryeministrit janë në pajtushmëri të plotë. Prandaj, në keto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideroj si të panevojshëm.

Për më tepër, ne presim që qeveria të marrë vendimet e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e projektit të Kompaktit bazuar në studimet e kryera deri më tani nga të gjithë aktorët e përfshirë. Rekomandimet tona janë si më poshtë:

Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit të mbështetet nga Qeveria dhe të integrohet në planifikime strategjike.

Revidimi i Strategjisë së Energjisë të mos vonohet dhe të integroj në vetvete zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe kapaciteteve gjeneruese.

Përveç mbështetjes së Kompaktit për këtë projekt, Qeveria e Kosovës duhet të përkushtohet në avancimin e negociatave me BERZH-in dhe BE-në për të siguruar financimin e projektit të gazit.

Qeveria e Kosovës të fillon krijimin e kushteve per krijimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).

Të mbështetet studimet e mëtejshëme për komponentën e prodhimit të gazit në energji për të adresuar nevojat për rezerva dytësore dhe terciare për të balancuar sistemin e rrjetit të transmisionit.

Jam gjithashtu në dijeni që zbatimi i projekteve me interes strategjik për vendin kërkon kohë dhe qasje në financa, prandaj presim që studimet shtesë që janë duke u zhvilluar të ndihmojnë në matjen e këtyre kërkesave.

Në fund, mbështes përpilimin e Programit Kompakt siç rekomandohet në studimin e para-fizibilitetit dhe shpresoj se rezultatet e fizibilitetit do të vlerësojnë kushtet e tranzicionit të prodhimit të energjisë në Kosovë, nga thëngjilli në gaz, dhe potencialisht në burime të tjera që janë më miqësore për mjedisin.

Sinqerisht,

Ramush Haradinaj

Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

The post Haradinaj i shkruan Kurtit, pres distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi appeared first on meKryeministrin.info.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *