Hoti: Kemi larguar ndikimin rus nga Kosova

Lajme

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga ai, ka larguar ndikimin rus në regjion, e sidomos në Kosovë me marrëveshjen e Uashingtonit.

Këto komente Hoti i bëri në tubimin e LDK-së në qytetin e Hanit të Elezit gjatë ditës së sotme, duke thënë se sfida kryesore e Qeverisë së tij ishte mbrojtja e shtetit dhe vendosja e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

‘’Kemi marrë ftesë në Shtëpinë e Bardhë pak muaj pasi erdhëm në qeveri. Me atë marrëveshje, e kemi largu ndikimin rus, ndikimin e Lindjes në regjion, sidomos në Kosovë. Qytetarët kanë me ia hajrin kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje do t’i shërbejë në të ardhmen qytetarëve’’, tha Hoti.

Kryeministri në detyrë nuk la pa përmendur edhe marrëveshjen e investimeve me DFC-në.

‘’Në fund të dhjetorit, kemi arrit marrëveshje për invesim me DFC. Të hënën do të takohemi me odat ekonomike, me bizneset për të diskutuar rreth këtyre investimeve. Këtë e kemi bërë ne, Lidhja Demokratike e Kosovës. Këtë nuk do ta kishte bërë askush, vetëm ne’’, vazhdoi Hoti.

Hoti ka kritikuar kundërkandidatët e tij duke thënë se janë duke promovuar parulla dhe taksa progresive, derisa po u bien në qafë bizneseve përmes inspektorëve.

“Këta të tjerët promovojnë parulla, taksa progresive, devidenca. Këta këqyrin veç me i ra n’qafë bizneseve e me iu qu inspektorët. Këta të tjerët që i premtojnë rritje të pagave arsimtarëve, këta i mashtrojnë. Këta që nuk e kanë ba asnjë punë në jetën e tyre, këta nuk mund të bëjnë asgjë”, ka shtuar ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *