Hoxhaj flet rreth ofertës së Haradinaj për huazim të votave: Na ka lënduar

Lajme

Enver Hoxhaj ka thënë se oferta e Haradinajt na ka lënduar.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka folur rreth ofertës së kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj për huazim të votave.

Hoxhaj tha se Haradinaj i ka borxh PDK-së që nga viti 2017 kur ishte bërë kryeministër.

Ai tha se ju takon partnerëve të koalicionit qeverisës të tregojnë se si e shohin ata zgjedhjen e presidentit.

“Ata të koordinohen mes vete dhe të kenë një qëndrim. Nuk mund të kenë tre partnerë të koalicionit, tri qëndrime të ndryshme. Ne si PDK këto dy-tri javët e fundit nuk kemi pasur luksin të diskutojmë temën e zgjedhjes së presidentit. Partnerët e koalicionit të flasin mes vete para se të kërkojnë vota nga PDK për presidentin”, deklaroi U.D i Kryetarit të PDK-së.

Hoxhaj tha se Haradinaj pos që i ka borxh PDK-së i ka edhe LDK-së pasi thotë se ata e kanë bërë kryeministër në vitin 2004.

“Haradinaj ka të drejt legjitime ta shpallë kandidaturën për president. Por nëse flitet për vota hua, Haradinaj duhet të na kthejë borxhin neve pasi PDK e ka bërë kryeministër në vitin 2017. Pos që na ka borxh neve i ka borxhe edhe LDK-së pasi edhe ata e kanë bërë kryeministër në vitin 2004”.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së thotë se deklarimi i Haradinajt për president nga PDK është parë i ngutshëm.

“Ajo deklaratë pak ditë pas aktakuzave ka lënduar çdo anëtarë të PDK-së, pasi vendi ishte në një situatë të pa precedentë”, shtoi më tej Hoxhaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *