I bjen ‘pishman’ njeriu që akuzonte Thaçin për arrestim në luftë

Lajme

Ai thotë se ai ishte arrestuar për arsye politike

Bashkëthemeluesi i degës së LDK-së në Komunën e Malishevës, Cen Desku gjatë 30 tetorit të vitit 1998 ishte arrestuar nga strukturat e UÇK-së.

Ish-veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Malisheva, Cen Desku, i cili në një dëshmi dhënë UNMIK-ut dhe misionit verifikues të OSBE-së kishte akuzuar Hashim Thaçin për arrestimin e tij gjatë luftës, ka thënë sot se ish-drejtuesi politik i UÇK-së nuk ka pasur gisht në këtë ngjarje.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në atë kohë kishte lëshuar komunikatë për arrestimin e tyre. Cen Desku dhe një tjetër aktivist i LDK-së konsideroheshin të dëmshëm për luftën e UÇK-së sipas tij.

Mirëpo, Desku në “Debat Plus” thotë se ai ishte arrestuar për arsye politike sepse ishte themelues i LDK-së.

“Jam arrestuar nga gjashtë persona. Katër prej tyre i kam njohur, ndërsa dy prej tyre nuk i kam njohur”, deklaroi Desku.

Ai thotë se në atë kohë ka pasur disa keqkuptime mes LDK-së dhe UÇK-së, derisa personalisht thotë se për shumë kohë ka qenë pjesë e mbrojtjes së armatosur.

Desku thotë se dëshmitë e tij pas luftës janë falsifikuar nga UNMIK-u dhe se ai asnjëherë nuk kishte pasur fjalë të këqija për UÇK-në.

“UNMIK-u ka falsifikuar deklaratat e mia. Nuk e di qëllimin e tyre, por edhe mund të kenë pasur qëllim të bëjnë përçarjen e shqiptarëve”.

Desku thotë se personalisht asnjëherë nuk e ka thënë se “ai është arrestuar nga Hashim Thaçi”.

“Unë kam thënë se të tjerët më kanë thënë se jam arrestuar [me urdhër] nga Hashim Thaçi”, deklaroi ndër të tjera Cen Desku.

“Kush na ka ndalu… e dimë, janë të dhënat në media, emrat e atyre njerëzve. Kanë qenë gjashtë persona, dy nuk i kam njoftë, 4 tjerë po. Asnjëri prej tyre nuk më ka arrestuar. Jo as Hashim Thaci. Jam mbajtur një muaj në Sedllar. UNMIK-u kishte shtrembëruar deklaratat e mia rreth arrestimit në luftë”, thotë ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *