Pas 34 vjetëve, i kthehet jetës në fshat me ëndrrën e fëmijërisë.
Përgjatë rrugës për në fshatin Hajkobillë të komunës së Prishtinës, do të mrekulloheni nga bukuritë natyrore që ta kënaqin syrin dhe freskia që do ta ndjeni.
Por, pavarësisht kësaj, të rralla janë shtëpitë ku njerëzit jetojnë.
Për shkak të kushteve të vështira për jetesë, një numër i madh i banorëve ishin detyruar të largohen nga vendlindja e tyre.
Gjithsesi, kujtimet e banorëve të këtij fshati nga e kaluara janë të shumta.
Kështu, me shumë nostalgji, Nuhi Haziri ndan disa kujtime nga fëmijëria e tij në këtë fshat.
Haziri thotë se arsimimi ishte mjaft i vështirë në kohën e tij, pasi kur mbaronin orët e mësimit, i prisnin punë prej më të ndryshmeve, siç ishte edhe punimi i tokave.
Lidhja shpirtërore e Nuhi Hazirit me vendlindjen e tij është aq e fortë, sa që pas 34 vjetëve në qytet, është kthyer që pjesën tjetër të jetës ta kaloj pikërisht në këtë fshat, për të cilin shprehet se i rrah fortë zemra.