Ikje organizative, vetëm javën e kaluar mbi 13 infermierë u larguan nga Kosova

Lajme

Trendi i ikjes së mjekëve dhe infermierëve nga Kosova po vazhdon çdo ditë. Tashmë Gjermania në mungesë të infermierëve ka ulur kriteret për rekrutim sa më të shpejt të tyre. Ndërsa vetëm në javën e kaluar një kompani ka rekrutuar mbi 13 infermier nga Kosova për në Gjermani.

Pagat e ulëta, kushtet e punës e mungesa e specializimeve thuhet se janë faktorët kryesorë të ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për lajmi. net, se Gjermania ka lehtësuar kriteret për mjekët e për infermierët kosovarë që ta japin kontributin e tyre në këtë shtet dhe se trendi i ikjes do të vazhdojë edhe më tej.

Ai thotë se kompani të ndryshme po rekrutojnë punëtor shëndetësor dhe tashmë e kanë shtuar aktivitetin në Kosovë.

Sipas tij gjendja është e tmerrshme, pas kuadri i mjekëve në Kosovë është i vjetër, ndërsa të rinjtë po largohen dita ditës.

“Po sipas informatave që i kam, jo vetëm që po vazhdon ikja e tyre, por edhe kompanitë e ndryshme që rekrutojnë punëtor shëndetësor e kanë shtuar aktivitetin në Kosovë dhe janë duke i zbutur kriteret, në kuptimin që sa më shpejt më marrë. Sipas informatave vetëm në javën e kaluar një kompani ka rekrutuar mbi 13 infermier atje, në procedura janë edhe disa të tjerë që ne nuk i dimë. Andaj kërkesa e Gjermanisë është shumë e madhe por edhe interesimi nga Kosova është shumë i madh. Duke qenë anëtar i Sindikatave Evropiane di që përafërsisht për çdo vit atje kërkohen 100 deri në 120 mijë punëtorë shëndetësorë. Nga Kosova nuk kemi statistika se sa kërkojnë më dalë, mirëpo nëse nisem nga hulumtimet e mëhershme, gati 70 për qind janë deklaruar për të dalur nga Kosova, si mjek ashtu edhe infermier, sidomos gjeneratat e reja. Është situata e tmerrshme, ne edhe ashtu kemi mungesa, kemi kuadrin e plakur, pra imagjinoni në çfarë situate jemi”, ka thënë Syla.

Ndryshe, mjekët reanimatorë paralajmërojnë për mungesën e 3500 deri në 4000 infermierëve për të përballuar pacientët me COVID-19 në spitalet gjermane.

Në spitalet gjermane janë shtuar kapacitetet e shtretërve dhe të aparateve të frymëmarrjes për pacientët SARS-CoV-2, por ka mungesa të mëdha infermierësh dhe personeli ndihmës, ka thënë ditë më parë për Dw, Presidenti i Shoqatës Ndërdisiplinare Gjermane të Mjekëve të Reanimacionit dhe të Urgjencës, Uwe Janssens.

Sipas tij vetëm aparatet dhe shtretërit nuk mjaftojnë, kur në të gjithë Gjermaninë mungojnë rreth 3500 deri në 4000 punonjës të specializuar në fushën e reanimacionit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *