Kadri Veseli publikon foto me Trumpin dhe me Bidenin: Popullit të Kosovës nuk i takon të mbajmë anë

Lajme

Veseli publikon foto me Trumpin dhe me Bidenin: Nuk na takon të mbajmë anë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u ka uruar dy kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës fat në garën e tyre presidenciale. Madje, ai ka thumbuar edhe Kryetarin e VV’së, Albin Kurtin, duke thënë se popullit të Kosovës nuk i takon që të mbajë anë në këtë proces.

Veseli ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, një foto me Donald Trump dhe një tjetër me Joe Biden, duke thënë se ka pasur fatin që të punoj me të dy.

“Presidentit Trump dhe ish-zv. Presidentit Biden iu uroj fat e suksese në garën e tyre presidenciale. Ndërkaq besoj se kushdo që i fiton zgjedhjet do të vazhdojë traditën e përkrahjes së Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Tutje, Veseli ka thënë se për Kosovën, aleanca me SHBA’në, vazhdon të jetë në thelb të pozicionimit gjeopolitik dhe të konsolidimit të lirisë dhe demokracisë së saj.

“Andaj, është më se i kuptueshëm entuziazmi dhe interesi i shtuar për këtë proces. Megjithatë, popullit të Kosovës nuk i takon që të mbajë anë në këtë proces por duhet të respektojë vullnetin politik e procedurat demokratike të këtij vendi mik. Shteti i Kosovës do të jetë gjithmonë me Amerikën, e padyshim Shtetet e Bashkuara të Amerikës me popullin e saj, do të jenë krah nesh”, ka shkruar Veseli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *