Këto janë komunat në të cilat do të ketë orë policore sonte

Lajme

Komunat në të cilat do të ketë orë policore sonte.

Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka miratuar dje masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Këto masa do të hyjnë në fuqi sot në orën 18:00. Në disa komuna, nga sonte do të kufizohet edhe lëvizja, raporton Express.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Në komunat që ndodhen në zonën e kuqe, siç janë Prishtina, Podujeva, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Peja, Fushë Kosova, Novobërda, Shtimja dhe Obliliqi, do të ketë edhe kufizim të lëvizjes.

Me mesat e reja, në këto komuna, ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.

Me vendimin e Qeverisë, ndalohen edhe hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00, përveç: personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve, qytetarëve për nevoja emergjente dhe operatorëve që kryejnë punë publike.

Ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në orën 05:00;

Institucionet publike dhe private punojnë vetëm me stafin esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti.

Transporti publik lejohet të punojë me 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes.

Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *