Kryeministri i Republikës së Kosovës, në konferencën virtuale “FSK dhe partnerët”, ka theksuar se qeveria është e përkushtuar që të avancojë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë që të shërbejë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s në operacionet vitale të ruajtjes së paqes.
Ai ka thënë se në mjedisin aktual të sigurisë, paqja dhe stabiliteti rajonal, kontinental dhe global kërkojnë përpjekje të përbashkët në adresimin e shumë sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë.
Kurti ka theksuar se Kosova aspiron të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë; në veçanti NATO dhe BE, si dhe të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon.
“ Republika e Kosovës, merr seriozisht përgjegjësinë e saj kryesore për t’u ofruar siguri qytetarëve të saj. Ne jemi mirënjohës për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR -it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë” ka shtuar Kurti.
Ai ka njoftuar se janë duke i bërë një analizë aspekteve të ndryshme të sektorit të sigurisë, duke shtuar se ministri i Mbrojtjes tashmë ka propozuar ndryshimin e ligjeve të mbrojtjes, që tashmë është miratuar nga Qeveria.
Prandaj, kërkoi mbështetjen e të gjithëve që Kosova të bëhet anëtar i plotë i nismave rajonale dhe t’u bashkohet vendeve fqinje në ballafaqimin e kërcënimeve të reja në rajon, Evropë dhe më gjerë.
“ Shpresojmë që në të ardhmen e afërt të bëhemi anëtar i plotë në Kartën e Adriatikut, dhe në të gjitha nismat e tjera rajonale, si dhe të kontribuojmë në sigurinë rajonale e transnacionale” ka shtuar Kryeministri.
The post Kryeministri Kurti në konferencën “FSK dhe partnerët”, Kosova aspiron të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë appeared first on meKryeministrin.info.