Kurti: Ne duam që shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Kosovë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat

Diaspora Lajme

Me rastin e 20 majit, Ditës së Malazezëve të Kosovës dhe në prag të Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Redžepi, priti në takim përfaqësuesit e komunitetit malazez në Kosovë.

Në takim ishin Lazar Raduloviq, kryetar i shoqatës malazeze “Lovqen” në Kosovë, Seid Haxhiq dhe Alen Mujeviq nga Drejtoria për Diasporë e Republikës së Malit të Zi, Biserka Gjurgjeviq nga Shoqata e Malazezëve në Podgoricë, si dhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, Nikollë Lulgjuraj.

Në këtë takim Kurti uroi Ditën e Malazezëve të Kosovës, njëherësh edhe 21 majin, Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, duke thënë se Kosova dhe Mali i Zi e kanë përkrahur pavarësinë e njëri-tjetrit nga Serbia dhe të dy shtetet i bashkon orientimi euro-atlantik.

“Ne duam që shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Kosovë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre kolektive kulturore dhe politike, si bazë e shëndoshë për marrëdhënie të mira në mes të dy shteteve tona fqinje, për një të ardhme më të mirë të të dy popujve”, tha kryeministri Kurti.

Pjesëmarrësit vlerësuan lart rëndësinë e këtij takimi dhe shënimin e kësaj dite, si për afirmimin e pozitës së komunitetit malazez në Kosovë, ashtu edhe për ndërtimin e mirëbesimit dhe marrëdhënieve ndërfqinjësore midis dy vendeve dhe popujve./meKryeministrin.info/

The post Kurti: Ne duam që shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Kosovë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat appeared first on meKryeministrin.info.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *