Kurti për mungesën e rrymës: Jam i frustruar me këtë gjendje

Lajme

Për mungesën e rrymës ka folur Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ku ndër të tjera foli edhe për krizën energjetike. Kurti fillimisht tha se ekonomia e vendit është rritur cdo vit, por prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë dhe duke i lënë fajin, sipas tij, vjedhjeve e vendimeve të gabuara.

“Derisa kërkesa për energji nga qytetarët dhe ekonomia jonë është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje edhe vendime të gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit”, tha Kurti.

Kurti tha se e kupton frustrimin e qytetarëve dhe ai vetë është i frustruar me mungesën e energjisë elektrike.

“Por le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën ata që qeverisën për dy dekada na e lan shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin e që punët i bënin natën e larg syve të qytetarëve, ata s’kishin se si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr e në skëterrë. Por ajo epokë ka përfunduar”, tha Kurti.

Sipas tij, vendi ynë nuk është në një pozitë ideale që në një të ardhme të afërt të gjenerojë energji nga burimet e ripërtërishme.

“Na nevojite një zgjidhje e atillë që mundëson prodhim të energjisë duke mos e kaluar asnjëherë tavanin e ndotjes me dioksid karboni të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe duke eliminuar maksimalisht ndotjen në ambient, e rrjedhimisht në shëndetin tonë”, shtoi ai.

Ai shtoi se mjedisi ku jetojmë dhe shëndeti përgjatë jetës janë ngushtë të lidhura me njëri-tjetrin.
“Një gjë e tillë është e mundur dhe do të propozohet vitin që vjen në mënyrë që sa më shpejtë të fillojmë investimet që na garantojnë stabilitet energjetik dhe një tranzicion të shëndetshëm si për ekonominë ashtu edhe për shëndetin”, tha në fund të fjalimit për energjinë kryeministri.

Kosova është duke u përballur me krizë energjetike, e Qeveria ka vendosur masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji me afat prej 60 ditësh. Qytetarët po përballen me reduktime të energjisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *