“Përgjegjësit për zhdukjen e Ukshin Hotit, për rrëmbimin e tij pas lirimit janë në Serbi. Ata duhet të kapen, gjykohen e dënohen. E vërteta për profesor Hotin, për bacën Ukë të zbardhet dhe drejtësia të bëhet”, ka thënë ai në mes tjerash.
Ndërkohë, përmes një njoftimi për media, Zyra e Kryeministrit, ka bërë të ditur se Kurti ka takuar sot, i shoqëruar nga Enver Dugolli dhe Liburn Aliu, disa prej miqve të Hotit, Sherif Konjufcën, Ekrem Kryeziun, Ali Kryeziun, Mentor Kacin.
“Biseda mbuloi që prej kujtimeve të burgut deri në rrethanat e inteligjencës politike. Aliu, Ekremi dhe Mentori kanë qenë të dënuar bashkë me Ukshinin në vitin 1981. Enveri dhe Liburni kanë qenë shokët e burgut të Dubravës, prej ku edhe u zhduk Ukshin Hoti. Ali Kryeziu tha dy përcaktime. Ukshini ka qenë ideolog, jo politikan. Sepse nuk mund ta thjeshtosh kurrë kompleksitetin e dijes së tij në analizues rrethanash, por vetëm ta ndeshësh si sintetizues politike. Ai ka qenë pra më shumë se ç’mund të themi për të. Ishte në natyrën e tij, si mendues e veprues, të trondiste çdo konceptim me një artikulim që e përmbyste dëshirën për me u vendos në një marrëdhënie të qetë me kohën”, thuhet në njoftim të zyrës për media të Qeverisë.
Limaj thotë se nuk do të ndalën së kërkuari zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit
Limaj në Facebook ka shkruar se nuk do të ndalën së kërkuari zbardhjen e fatit të tij.
“Ishte 16 maji i vitit 1999, që në rrethana fatkeqësisht ende të pa ndriçuara është̈ zhdukur veprimtari i madh, Ukshin Hoti. Sot, 21 vite më pas nga ajo ditë, ende nuk dihet asgjë për fatin e tij. Ukshin Hoti ishte dhe mbetet ndër vizionaret e mendimtarët më të mëdhenj të kombit tonë. Ai kishte specializuar në ‘Hardvard’ të SHBA-së për shkencat politike, publicist i shquar, profesor e filozof, por mbi të gjitha atdhetar dhe veprimtar i madh çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999. Ukshin Hoti me veprat e tij ka frymëzuar breza të tërë në rrugën tonë për liri e pavarësi dhe me të drejtë konsiderohet si ikonë e të drejtave dhe lirive shqiptare ngaqë̈ ka punuar me shumë përkushtimin për arritjen e tyre”, ka shkruar ai.
Thaçi: Moszbardhja e fatit të Ukshin Hoti është dëshmi e natyrës kriminale të shtetit serb
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar “që 21 vjet ende nuk dihet për fatin e profesorit, intelektualit dhe veprimtarit të shquar kombëtar Ukshin Hoti, i cili e kaloi një pjesë të jetës nëpër burgjet jugosllave dhe serbe”.
“Profesori Hoti që në vitin 1981 përkrahu idenë dhe kërkesën për Republikën e Kosovës, duke u bazuar në të drejtën historike dhe në konceptin e zhvillimit të Kosovës si entitet politik, që nuk mund të mbetej nën administrimin e Beogradit. Rasti i profesor Hotit dhe i të pagjeturve tjerë janë dëshmi se për të arritur paqe të qëndrueshme duhet të mbyllen të gjitha plagët e hapura nga lufta, të ketë drejtësi për viktimat dhe dënime për përgjegjësit”, ka shkruar ai.
Haradinaj: Ukshin Hoti formësoi mendimin politik në dy dekadat e fundit
“Ukshin Hoti, ideologu që formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet dhe diplomati vizionar që foli e frymëzoi për liri e kryengritje, ka zënë vend përgjithmonë̈ në historinë e kombit tonë. Etika politike që promovoi ai, duhet të jetë shembull për elitat udhëheqëse të shqiptareve gjithandej”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se Kosova ende nuk ka përgjigje për fatin e veprimtarit Ukshin Hoti, duke shtuar se idetë e tij ngadhënjyen përkundër burgosjes e në fund zhdukjes së tij
“Njëzetenjë vjet më parë, ky njeri i madh, u shndërrua përpos në legjendë edhe në enigmë. Ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij. Ata që privuan nga liria një popull të tërë me dekada, nuk kanë mundur të burgosin idetë e tij. Ato mbeten të gjalla përjetë”, ka shkruar Haradinaj.
21 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve, transmeton ksp.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.