Ky pritet të jetë posti i Vlora Çitakut në PDK

Lajme

Vlora Çitaku, zëvendëskryetare e PDK-së?

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, pritet të zyrtarizohet në pozitën e zëvendëskryetares së PDK-së. Jozyrtarisht, Express ka mësuar se Çitaku do të jetë numri 2 në partinë më të madhe opozitare, pas zgjedhjes së shokut të saj të fëmijërisë, Memli Krasniqit në pozitën e kryetarit, të shtunën. Ajo po e shoqëron Krasniqin në takime e vizita.

Memli Krasniqi ka nisur formimin e një ekipi të ri në krye të PDK-së, me të cilin synon ta kthejë sërish në pushtet partinë e dalë nga lufta. Pasi u zgjodh kryetar i PDK-së të shtunën, ai njoftoi për ndryshime shumë të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të partisë. Krasniqi beson se përbërja e kryesisë së kaluar s’mund ta kthejë partinë aty ku ka qenë.

Deputetët e PDK-së nuk do të jenë pjesë e kryesisë së partisë. Krasniqi tha të shtunën në Konventën zgjedhore të kësaj partie se deputetët duhet të përqëndrohen vetëm në Kuvend.

“Sot beteja kryesore është në Kuvendin e Kosovës, prandaj në bindjet e mia deputetët duhet ta kenë tërë përqëndrimin e tyre vetem si deputet”, ka thënë Krasniqi kur e prezantoi platformën e tij.

Vlora Çitaku do të jetë pjesa e rëndësishme e përbërjes së ekipit të ri të kryetarit të PDK-së. Bashkë, ajo dhe Memli Krasniqi kanë nisur takimet dhe vizitat e para pas ndryshimit të udhëheqjes së partisë.

Të dy, dje i pritën në selinë e partisë dy veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, udhëheqësit e Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan, Bruno Ceka dhe Martin Vulaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *