Lëvizja Vetëvendosje: Hoti në Uashington zhbëri kufirin me Serbinë

Lajme

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kritikojë marrëveshjen e arritur në Uashington.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka akuzuar kryeministrin Avdullah Hoti se ka shkelur Kushtetutën me nënshkrimin e marrëveshjes në SHBA për pikën e kalimit kufitar me Serbinë, kështu duke e zhbërë kufirin.

Në një konferencë për media, Selimi tha se tanimë Kosova ka tre lloje kufijsh, njofton Klan Kosova.

“Kategoria e parë është me ato shtetet që e njohin Kosovën. Kategoria e dytë janë kufijtë apo pikat kufitare që ndahen mes Kosovës dhe Serbisë dhe e treta është tash kufiri i veçantë në Merdare që i referohen si pikë e përbashkët. Pranimi i zhbërjes se kufirit është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Duke pranuar dhe nënshkruar këtë dokument Hoti e ka zhbërë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Hoti na del të jetë shkelës i ligjit, pavarësisht proklamimeve se do të ketë kalim të lehtë për qytetarët. Kjo është shkelje e rëndë kushtetuese e sovranitetit dhe integritetit”.

Ndërkaq, Xhelal Sveçla, ish ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm në qeverinë e kaluar, tha se se Kosova ka humbur në substancë dhe sovranitet derisa akuzoi se nuk u mbajt premtimi për ndërtimin e gjashtë pikave kufitare nga Serbia.

“Unë si ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti jam takuar disa herë me zyrtarë të BE-së dhe qysh në takimin e parë është pranuar që pala serbe nuk ka pas as një pikë vullneti që të shtyjë përpara marrëveshjen (për pikat kufitare më 2011). Ne si LVV insistojmë që të rishikohen të gjitha marrëveshjet e deritanishme dhe të gjitha ato pika ku nuk janë implementuar ato që përfitojmë sado pak të implementohen dhe të shikohen ato pika ku ne kemi humb sovranitet”.

Ndërkaq, Selimi edhe në këtë konferencë tha se Vetëvendosje sa i përket nismës për rrëzimin e Qeverisë Hoti është mjaft serioze, por i duhet PDK-së që të tregojë veten se është parti opozitare dhe t’i bashkohet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *