Mustafa flet pwr takimin Kosovë -Serbi: Pres të fillojë definimi i rrugës që çon në njohje reciproke

Lajme

Isa Mustafa në Washington pres që të fillojë definimi i rrugës që çon në njohje reciproke.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shpalosur pritjet për takimin Kosovë -Serbi në Washington.

Ai ka thënë se pret që në Shtëpinë e Bardhë të definohet se cila është rruga tutje e dialogut.

Kreu i LDK’së dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, ka përmendur edhe nevojën jetike për bashkërendim Washington-Bruksel rreth finales së procesit.

“Për mua, takimi në Washington me 3 dhe 4 shtator është i peshës së veçantë. Pres që, përpos temave specifike ekonomike, në Washington të fillojë të definohet se cila është rruga e dialogut, që e mbështesin SHBA-të, që çon në njohje reciproke dhe si do të bashkërenditen dy palë të pazëvendësueshme, SHBA dhe BE, në procesin e këtij dialogu për marrëveshjen përfundimtare”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë njohja reciproke është objektivi final i Kosovës në procesin e negociatave me Serbinë, dhe shton se për gjithë këtë duhet një punë shumë e madhe edhe nga ndërkombëtarët por edhe nga i gjithë faktori politik vendor, përfshirë mediat e shoqërinë civile.

Sipas kreut të LDK’së, një marrëveshje finale për njohje reciproke me Serbinë nuk mund të vijë si surprizë.

“Arritja e marrëveshjes për njohje reciproke është proces që kërkon vullnet, përkushtim dhe energji nga të gjithë, nga faktori ndërkombëtar dhe nga të gjitha subjektet brenda vendit, nga pozita, opozita, institucionet shkencore e profesionale, mediat dhe shoqëria civile. Nuk është diçka që na vjen befas”, ka shtuar Mustafa.

Kreu i LDK’së thotë se sa më thellë futet Kosova në këtë proces kjo duhet të përcillet paralelisht me një unitet brenda vendit për ta përballuar e përfunduar gjithë këtë rrugëtim në interesin e Republikës së Kosovës.

“Prandaj, sa më thellë futemi në këtë proces, aq më shumë duhet të jemi bashkë për ta përballuar dhe për ta përfunduar në interes të vendit”, ka përfunduar ish-kryeministri, Isa Mustafa.

Takimi i Washingtonit në mes të Kosovës dhe Serbisë është thirrrur nga Këshilltari i Trump për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, i cili punon ngushtë me emisarin për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell.

Delegacioni Kosovar i kryesuar nga Avdullah Hoti sot është nisur drejt Ëashingtonit, derisa në përbërje ka përfaqësues nga të gjitha partitë që janë pjesë e koalicionit.

Partitë opozitare, PDK dhe Vetëvendosje, s’kanë pranuar që të bëhen pjesë e ekipit të Hotit dhe të udhëtojnë bashkë me të drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *