Nesër seanca për votimin e Buxhetit, a do të marr pjesë Driton Selmanaj

Lajme

A do të marrë pjesë Driton Selmanaj në seancën e nesërme për votimin e buxhetit?

Të hënën, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2021 do t’i marrë votat e nevojshme për miratim.

Numrat pritet t’i sigurojë Partia Demokratike e Kosovës. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të këtij subjekti opozitar, Enver Hoxhaj, tha se votën e jep për shkak të krizës financiare që mund të krijohet nëse shkohet në zgjedhje pa buxhet të sigurt.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj i tha Klan Kosovës përmes telefonit se do të konsultohet me shefin e tij në qeveri, Avdullah Hoti, nëse do të marrë pjesë apo jo në seancë, për shkak se prezenca e tij mund ta shtyjë Lëvizjen Vetëvendosje ta bllokojë punën sikur të premten e 18 dhjetorit.

Hoti pasditen e së dielës u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin Ligjin për Buxhetin nga i cili varet krejtësisht edhe ai për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ndërsa Vetëvendosje të dielën nuk i ka dhënë përgjigje televizionit nëse do ta votojnë buxhetin. Por më herët, nga ky subjekt kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin pikën e dytë të rendit të së hënës, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten 80 vota.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *