Nga 250 deri në 8 mijë euro dënimi për mosrespektim të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Lajme

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në gjithë vendin.

Inspektoratet e komunave të Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës, kanë filluar shqiptimin e gjobave të cilat nisin nga 250 e shkojnë deri në 8 mijë euro, për të gjithë ata të cilët nuk i respektojnë masat e marra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

E këto dënime janë të parapara me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, në bazë të të cilit edhe Qeveria e Kosovës ka marrë masat për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Në varësi edhe prej shkeljes por edhe prej organizatës apo personave, qofshin ata fizik a juridik, gjykata vendos edhe për dënimin që do t’u jap atyre që shkelin ligjin.

Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, kryeinspektori i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.

“Gjobat nisin nga 500 euro më e vogla, pastaj në varësi prej shkeljes dhe në varësi për kë bëhet fjalë, shembull nëse është person fizik apo juridik, nëse është organizatë shkojnë gjoba më të larta, që mund të arrijnë deri në 8 mijë euro”, tha Tahiri.

Ai shpjegoi po ashtu se këto gjoba shkojnë në gjykatë, pasi policia i merr të dhënat e atyre që kanë shkelur Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, për t’i dërguar pastaj ato të dhëna në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit, ku ata lëshojnë një aktvendim i cili shkon në gjykatë dhe pastaj Gjykata vendos për rastet.

Ndërsa, Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, në Kapitullin e shtatë parasheh masat ndëshkimore për personat që shkelin këtë ligj.

“Personi fizik dënohet me gjobë prej 1.000€ deri 2.000 €, kurse personi juridik me gjobë prej 3.000€ deri 8.000€. Personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej 500€ deri 1.500€, për kundravajtje nga paragrafi 1 i këtij neni”, thuhet ndër të tjera në Ligj.

Kurse dënimi për personat që nuk pranojnë të hospitalizohen, është nga 250 deri në 1 mijë euro kur është i sëmurë, apo dyshohet se është i sëmurë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *