Për një vit, përgjysmohet numri i udhëtarëve dhe fluturimeve

Lajme

Përgjysmim i numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve për një vit në Kosovë.

Numri i udhëtarëve që e kanë vizituar Kosovën ka rënë për 55%, krahasuar me shifrat e një viti më parë. Që nga 1 janari e deri më 31 tetor të këtij viti, në Kosovë kanë ardhur 906 mijë e 24 persona, kurse gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 6720 fluturime.

Në të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar, kur nuk ishte e pranishme pandemia Covid – 19, Kosovën e kishin vizituar mbi 2 milionë persona. Deri në tetor të vitit 2019, ishin realizuar gjithsej 14 mijë e 966 fluturime.

Për rreth 4 muaj, Kosova, por edhe vendet e tjera të BE-së kishin vendosur kufizime dhe mbyllje kufijsh mes tyre. Pas lirimit të këtyre masave, numri i bashkatdhetarëve që vizituan Kosovën u rrit dukshëm.

Në bazë të të dhënave të Aeroportit të Prishtinës, vetëm në muajin tetor në Kosovë kishin hyrë 77 mijë e 772 qytetarë nga vende të ndryshme. Kurse nga Kosova drejt këtyre vendeve kishin udhëtuar në total 78 mijë e 144 qytetarë.

Në këtë muaj u realizuan gjithsej 522 fluturime. Kosovarë të shumtë që jetojnë në vendet evropiane nuk kishin arritur që për më shumë se një vit t’i vizitojnë familjarët dhe shtëpitë e tyre. Për ta muajt e mbylljes totale ishin më të rendit.

“Kemi kaluar shumë mirë, probleme nuk kemi pasur. Testin na kanë kërku. Kam qenë në vitin e kaluar në verë, njëherë kam qenë pas 2 muajve dhe tash. Shumë vështirë e kam pasë. Rreziku është i madh prandaj edhe kemi rreziku dhe kemi ardh me e pa familjen, e kam nënën familjen gjithë. Distanca është e mirë dhe rregullat mi respektu kaq”, ka thënë Gjegj Berisha, qytetarë.

“Kam kalu shumë mirë, pengesa nuk ka pasur gjatë rrugës. Frikë si gjithkush, por normal duhet me pas kujdes me maska e ti zbatojmë rregullat e Qeverisë. Për momentin veç prind i kam pasur këtu, me shoqen e fëmi jam atje, në fakt frika te të moshuarit është e madhe, por edhe ata janë kthy në Zvicër tash”, ka thënë Arsim Berisha.

Shtetet të cilat aktualisht Kosova i konsideron me rrezikshmëri të lartë të infektimit me Covid19 janë: Gjermania, Danimarka, Qipro, Sllovakia, Spanja e shumë shtete të tjera.

“Të gjithë qytetarët që jetojnë në këto shtete për të hyrë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë ose duhet të qëndrojnë 7 ditë në vet-izolim”, është thënë nga Qendra për Menaxhim Kufitar.

Në shtetet me rrezikshmëri të lartë nuk konsiderohet edhe Zvicra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *