Qeverisa Hoti emëron Bordin e Përkohshëm të Telekomit, flet kryetari i Sindikatës

Lajme

Kryetari i Sindikatës së Telekomit flet pas emërimit të bordit nga Qeveria Hoti.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka komentuar emërimin e bordit të përkohshëm nga Qeveria e Kosovës në krye me kryeminsitrin, Avdullah Hoti.

Balaj ka thënë se emrat e emëruar nga Hoti si pjesë e bordit të përkohshëm të Telekomit, janë emra të panjohur për Sindikatën e Puntorëve të Telekomit.

“U informova nga mediat se emërimet janë bërë, megjithatë ne nuk i njohim se kush janë këta persona”, ka thënë Balaj.

Tutje, ai tha se pret që të takohen me ta së shpejti në mënyrë që t’i shprehin qëndrimet e sindikatës.

“I presim në takime dhe ne do t’i shprehim qëndrimet tona si gjithëherë. Si figura kur t’i shoh, ka mundësi që i njoh, mirëpo si emra për mua janë të panjohur”, ka thënë Balaj.

Qeveria Hoti ka emëruar kryesues të bordit, Mehmet Berishën, ndërsa anëtarët e bordit janë: Kushtrim Krasniqi, Teki Shala dhe Blerim Shehu.

Ky emërim erdhi pas dorëheqjes së bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje. Dorëheqja e tyre erdhi si shenjë proteste rreth zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në Telekom.

Kujtojmë se përmbaruesi privat, i ka bllokuar xhirollogaritë e Telekomit, për shkak se kjo ndërmarrje ka detyrime ndaj kompanisë Z-Mobile të Blerim Devollit.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë nga zyra e kryeministrit të Kosovës:

Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike), të 16-ën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe ka miratuar vendimin për emërimin e Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës Sh. A”, i cili do të përbëhet nga:

Mehmet Berisha, kryesues

Kushtrim Krasniqi, anëtar

Teki Shala, anëtar

Blerim Shehu, anëtar

Emërimi i këtij bordi është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike dhe pas dorëheqjes së Bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje. Ky bord i përkohshëm do të shërbejë në cilësi të Bordit të drejtorëve derisa të zgjedhet Bordi i përhershëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *