Rritja e rasteve me koronavirus, Raka tregon se a është opsion mbyllja totale

Lajme

Ditëve të fundit është rritur numri i rasteve me koronavirus në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një takimi me Bordin Këshillëdhënës për Covid-19, ka bërë të ditur se janë rritur kapacitete testuese, derisa ka theksuar se hapja e spitalit Covid është në përfundim të procedurave.

“Ju e dini që çdo ditë kemi numër të konsiderueshëm të rritjes së testimeve, sot po thuajse veç ju kemi afruar numrit prej 1 mijë sipas kërkesave dhe nevojave që janë paraqitur në teren. Kapacitetet testuese janë rritur, jemi në përgatitje e sipër edhe të zgjerimit të kapaciteteve spitalore…Kanë përfunduar procedurat projektuese, javën tjetër sigurisht do të nisin dhe procedurat e shpejta të tenderimit. Jemi edhe në një procedurë tjetër brenda QKUK-së të shtojmë kapacitete në shtretër, diku të ketë edhe 100 shtretër shtesë”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa kryesuesi i Bordit, Lul Raka, ka deklaruar se mbyllja totale nuk është zgjidhje dhe se ajo mundet me qenë opsion i fundit.

Krahas kësaj, ai ka shtuar se në këtë takim do të diskutohet edhe për konviktet, mësimin në arsimin e lartë dhe çështjen e kufijve.

“Sot do të diskutohet për konvikte, mësimin në arsimin e lartë, për çështjen e kufijve sepse e keni pa edhe qasjen e reciprocitetit, Kosova aktualisht është në mesin e shteteve me numrin më të vogël të rasteve, derisa pjesa tjetër e Evropës çdo ditë po skuqët, është drita e kuqe për shkak të rritjes së rasteve….Qasja e bordit prej fillimit ka qenë hapja e kontrolluar, me zbatim të masave parandaluese dhe me respektim struktë nga autoritetet shtetërore. Mbyllja totale nuk është diskutuar më sepse nuk është opsion, ndoshta prej A deri në Zh është opsioni Zh. Por kjo varet prej kapaciteteve shëndetësore sepse nëse e shohim që nuk ka vend të lire në spital, atëherë normal që vendimet duhet të merren konform situatës aktuale dhe kapaciteteve”, ka thënë ai.

Pas këtyre deklarimeve mbledhja është duke vazhduar e mbyllur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *