Sa mund ta vonojë Specialja publikimin e aktakuzave të konfirmuara

Lajme

Flasin nga Haga, sa mund ta vonojë Specialja publikimin e aktakuzave të konfirmuara.

Më 24 gusht të këtij viti bëhen plotë gjashtë muaj që kur Prokurori i Specializuar i Hagës ka dorëzuar aktakuzat e para tek gjyqtari i Procedurës Paraprake. Brenda kësaj periudhe kohore sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, gjyqtari duhet të vendos nëse e konfirmon apo nëse e hedh poshtë një aktakuzë.

Megjithatë në rast të konfirmimit të një aktakuze brenda këtij afati, është në dorën e gjyqtarit nëse vendos që ta bëjë publike atë ose jo.

Një gjë të tillë Gazetës Express ia kanë konfirmuar përmes një përgjigje me shkrim nga Dhomat e Specializuara.

Sipas Rregullit 88 të Rregullores për Procedura dhe Evidencë, gjyqtari i Procedurës Paraprake mund të vendos përkohësisht që të mos e bëjë publike aktakuzën për shkaqe të sigurisë apo me qëllim të shmangies së çfarëdo ndërprerje të procesit.

“Në bazë të specifikave të një rasti individual, gjyqtari i Procedurës Paraprake ka maksimalisht gjashtë muaj kohë të vendos nëse do ta konfirmoj apo hedh poshtë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, Rregullat e Procedurës dhe Evidencës parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar e që bëhet publike më vonë se gjashtë muaj, pas paraqitjes së saj tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake. Për shembull Rregulli 88 parashikon që Gjyqtari i Procedurës Paraprake mund të urdhërojë përkohësisht të mos zbulohet një aktakuzë e konfirmuar për arsye të sigurisë apo për të shmangur ndërprerjen e procedurave”, kanë thënë për Gazetën Express.

Megjithatë, limiti kohor deri kur një aktakuzë e konfirmuar mund të mbetet diskrete edhe pas gjashtë muajsh, është paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës.

“Në çfarëdo rasti një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës”, kanë potencuar për Express nga Haga.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *