Sa para do të ndahen për të infektuarit me COVID-19 në Prishtinë?

Lajme

Shumë shpejt qytetarët e Prishtinës të infektuar me koronavirus do të marrin nga 50 euro.

Prishtinasit e infektuar me koronavirus shumë shpejt mund të marrin nga 50 euro nga Komuna e Prishtinës, për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit. Një ide të tillë e ka dhënë i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ideja e tij ka gjetur përkrahje edhe nga partitë opozitare në këtë komunë, ndonëse disa propozojnë që të ndahen më shumë mjete.

Mbi 4 mijë persona janë të infektuar me koronavirus në Prishtinë. Për këta, por edhe tjerët që në testimet për COVID-19 do të rezultojnë pozitivë, kryetari Shpend Ahmeti, po propozon që të ndahen nga 50 euro të cilat do t’u ndihmonin në mbulimin e shpenzimeve të trajtimit.
Propozimin e Ahmetit për subvencionim të qytetarëve me koronavirus po e përkrahin partitë opozitare në Prishtinë.

Megjithatë, dikush po thotë se propozimi i Ahmetit nuk është ide e tij.

Nazlie Bala, asmabliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës ka thënë se partia e saj e ka propozuar para katër muajsh në Kuvendin e Kosovës ndarjen e subvencioneve për qytetarët.

Bala ka thënë se VV’ja do ta votojë këtë propozim, por shton se shuma duhet të jetë më e lartë.

“E para, ku propozim është i Lëvizjes Vetëvendosje në njërën prej seancave të Kuvendit të Kosovës në muajin korrik. Sa i përket shumës dhe buxhetit, natyrisht se Komuna e Prishtinës ka buxhet dhe ne si Lëvizje do ta votojmë dhe do të kërkojmë që kjo shumë të rritet duke marrë parasysh gjendjen ekonomike”, ka deklaruar Bala.

Bala ka thënë se shuma duhet të shkojë te familjet të cilat kanë gjendje të rëndë ekonomike.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë po konsideron se shuma prej 50 eurove është e vogël për t’u dalë në ndihmë qytetarëve me koronavirus.

Asamblistja e LDK’së në Prishtinë, Jeta Rafuna, ka thënë për Express se partia e saj do ta përkrahë nismën e kryetarit Ahmeti.

“Ne si Grup Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës e përkrahim nismën e ekzekutivit të Komunës për ndarjen e mjeteve financiare për qytetarët e Prishtinës të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Ne konsiderojmë se shuma prej 50 eurove është e vogël, duke pasur parasysh koston e lartë rë shërimit të pacientëve me këtë virus”, ka thënë Rafuna.

Ajo ka deklaruar se LDK’ja do të kërkojë që shuma të rritet, pasi Komuna e Prishtinës ka mjaftueshëm buxhet.

“Do të kërkojmë që shuma të rritet, pasi Komuna ka mjaftë mjete financiare të cilat çdo vit po barten nga viti në vit. Ne kemi votuar edhe për pakon ekonomike prej 5 milionë euro dhe do të vazhdojmë të jemi zëri i qytetarëve tanë në Kuvendin Komunal”, ka thënë Rafuna.

Se shuma prej 50 eurove është e pamjaftueshme për qytetarët e infektuar me koronavirus po konsideron edhe Nisma Socialdemokrate.

Asamblisti i kësaj partie në Komunën e Prishtinës, Granit Shala, ka thënë për Express se duhet shikuar mundësitë buxhetore për ta rritur këtë shumë.

“Si asamblist i Nismës Socialdemokrate në Kuvendin Komunal të Prishtinës, mirëpres çdo propozim që do t’u dilte në ndihmë të prekurve me COVID-19. Shuma e propozuar konsideroj se është e pamjaftueshme dhe duhet shikuar mundësitë buxhetore, nëse kjo shumë mund të rritet. Pandemia ka prekur ekonomitë familjare dhe institucionet qoftë niveli lolak dhe ai qendror, duhet të ndërmarrin veprime në funksion të mbështetjes së qytetarëve në këtë kohë pandemie”, ka deklaruar Shala.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë po konsideron se janë të pamjaftueshme 50 euro për mbulimin e shpenzimeve për personat e prekur me koronavirus.

Asamblistja e AAK’së në Prishtinë, Suzan Kika, ka deklaruar për Express se bazuar në praktikat e deritanishme, ka qytetarë të cilëve trajtimi për koronavirus ju ka kushtuar deri në 2 mijë euro.

“Shpenzimet po bëhen deri në 2 mijë euro, me aq sa kemi dëgjuar prej pacientëve me koronavirus. Nuk më duket shumë aq e volitshme, nuk është ndonjë ndihmë e madhe, ky është mendimi im, por po më duket që 50 euro nuk i përmbushin kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Kika.

Kika ka propozuar që mjetet financiare të ndahen vetëm për familjet që nuk mund ta përballojnë shërimin.

Ajo thotë se partia e saj ka propozuar që shuma të jetë 250 euro.

“Ne si Grup Parlamentar kemi propozuar që shuma të jetë 250 euro, duke e marrë parasysh koston për shërim. Më mirë është që paratë të ndahen vetëm për ata që kanë nevojë, sepse ndoshta jo të gjithë kanë nevojë të subvencionohen”, ka thënë Kika.

As PDK’ja në Prishtinë nuk po pajtohet me shumën e propozuar nga kryetari Shpend Ahmeti.

Asamblisti i PDK’së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka thënë se Komuna ka shpenzuar vetëm 40 për qind të buxhetit. Sipas tij, minimumi i ndihmës ndaj qytetarëve duhet të jetë 250 euro.

“Propozimi prej 50 euro është më shumë tallje për qytetarët e Prishtinës, se e dimë që mesatarisht kostoja e një qytetari për t’u shëruar është rreth 500 euro, dhe ne jemi që kjo shumë të ngritet sepse komuna e Prishtinës e ka vetëm 40 për qind të buxhetit të shpenzuar, e që minimumi i kësaj ndihmese do të duhej të ishte 250 euro”, ka thënë Retkoceri në një emision televiziv.

Ndërkohë, kryetari Shpend Ahmeti ka të mërkurën ka deklaruar se shuma prej 50 eurove është modeste, por thotë se këto janë kapacitetet e Komunës së Prishtinës.

“Këto ditë do ta dërgojmë propozimin në Kuvendin Komunal që çdo qytetari të Prishtinës (zyrtarisht në regjistrin civil) që është i konfirmuar me Corona në listat e IKSHP të subvencionohet me 50 (pesëdhjetë) Euro në emër të shpenzimeve shëndetësore, jashtë shërbimeve të ofruara nga sistemi jonë shëndetësor. E dimë që është shumë modeste, por këto janë kapacitetet e Komunës tonë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndërkohë, sipas një përllogaritjeje që ka bërë për shtatë ditët e fundit mesatarisht në Prishtinë rezultojnë pozitivë 300 persona.

Sipas kësaj mesatareje, Komunës së Prishtinës brenda një dite i bie që t’i ndajë 15 mijë euro, për 300 qytetarë të infektuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *