VV ia kujton Thaçit se qëndroi prapa “Zajednicës”, ja si e quajnë atë

Lajme

Vetëvendosje ia kujton Presidentit Thaçi se qëndroi prapa “Zajednicës”, e quan të pafytyrë.

Lëvizja Vetëvendosje i ka reaguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pas deklarateve se Asociacioni i Komunave serbe është rrezik për Kosovën.

VV-ja ja ka kujtuar presidentit Thaçi se ai e ka nënshkruar vet marrëveshjen për krijimin e këtij Asociacioni. VV e ka kritikuar edhe thirrjen që i ka bërë Thaçi, Kuvendit që të ia ndalojë kryeministrit Hoti që të dialogojë për Asocacionin në bisedimet në Bruksel.

“Në këtë komunikatë kërkohet që Kuvendi ta ndalojë Kryeministrin që të negociojë për çështje të brendshme, përmes një rezolute, ani pse një rezolutë e tillë është votuar nga Kuvendi në mars të këtij viti. Nëse ”Zajednica” paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë Presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e Prillit 2013, që është themeli i ”Zajednicës” që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ”Zajednicën” e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit”, thuhet në një njoftim të VV-së.

Ata e kanë quajtur paftyrësi këtë reagim të presidentit Thaçi.

“Ky reagim i Presidentit sot, nuk është asgjë tjetër pos pafytyrësi që përpiqet të simulojë opozitarizmin. Pra, ai po shtiret, po e luan rolin, vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike, dhe për ta faktorizuar veten ndërkombëtarisht. A i ka numëruar Thaçi sa rezoluta të tilla ka pasur, e sa janë shkelur nga vetë personi që është President? Ai vetë, në cilësinë e Kryeministrit bashkë me Daçiqin hodhën themelet e ”Zajdenicës”, që më pas e ndalëm me protesta mbarëqytetare”, thuhet tutje në njoftim.

VV vlerëson se kjo kundërshti mes Thaçit e Hotit është kundërshti e rreme e dy anëve të së njëjtës medalje, është kundërshti e ndarjes direkte të Kosovës me atë të bosnjëzimit për t’u ndarë më vonë.

“Dallimi i tyre është vetëm kohor. Ata që thonë se ”Zajednica” është obligim në fakt janë duke negociuar ndarjen. Ndërsa kinse-kundërshtarët e tyre, opozita e simuluar, të cilët ka kohë që kërkojnë ndarje, sot bëjnë thërrasin kundër Zajednicës që e krijuan vetë. Njëjtë si hajni kur thërret “kapeni hajnin””, thonë në VV.

Ata kanë vlerësuar se asociacioni të cilin e quajnë ”Zajednica”, cenon rëndë rendin kushtetues dhe unitaritetin e shtetit.

“Ajo është e dëmshme dhe rrjedhimisht e papranueshme dhe nuk mund të zbatohet në Republikën e Kosovës e aq më pak të sillet nga një qeverisje e paligjshme, por Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj. Si themelues i kahmotshëm atij vetëm i ka mbetur merak pse nuk është Thaçi implementuesi, por kryeministri i tij kukull”thuhet në njoftim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *